Maqedonia, Shqipëria, BeH, Mali i Zi dhe Serbia edhe më tej i plotësojnë kushtet për liberalizim të vizave, por janë të nevojshme veprime në fusha të caktuara për ruajtje të zbatimit të tyre të përmbajtshëm, tregon raporti i Komisionit Evropian për zbatim të obligimeve nga liberalizimi i vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Partneritetit lindor.
Komisari Evropian për migracion, punë të brendshme dhe nënshtetësi, Dimitris Avramopoulos vlerësoi se ata janë plotësisht të përkushtuar në mbrojtjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Partneritetit lindor, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Sigurimi i këtij liberalizimi vjen me obligime, si për qytetarët, ashtu edhe për pushtetet. Ne i pranojmë përpjekjet e shteteve për sigurim të përparimit të arritur dhe se reformat japin rezultate konkrete, por sidoqoftë, kërkohet punë e mëtejme. Presim që të gjitha shtetet të intensifikojnë përpjekjet për ballafaqim me migracionin e çrregullt dhe parandalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Avramopoulos.
Ky është raporti i parë sipas sistemit të ri të mbikëqyrjes për këto tetë shtete që përfunduan bisedimet për liberalizimin e vizave me BE-në.