Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruan sot Deklaratën e Përbashkët për Avancimin e Bashkëpunimit Dypalësh mbi Prioritetet e Përbashkëta.
Deklarata e qëllimit u nënshkrua ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, dhe ka në fokus eksportet në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin industrial.
Nënshkrimi i kësaj deklarate u bë në kuadër të vizitës zyrtare të kryeministrit britanik Keir Starmer, i cili vizitoi për herë të parë Shqipërinë.
Kryeministri Edi Rama priti homologun e tij me ceremoni zyrtare në Tiranë. “Për herë të parë në Shqipëri, kryeministri britanik Starmer zhvillon këtë vizitë zyrtare në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve”, u shpreh Rama.
Ceremonia u zhvillua përpara Kryeministrisë, ku pas ekzekutimit të himnit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Himnit Kombëtar të Shqipërisë, dy liderët vijuan takimin në ambientet e brendshme të institucionit.
Vizita e Keir Starmer vjen një ditë para mbajtjes së Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që do të zhvillohet nesër, më 16 maj, në Tiranë.