Kelmendi me pagë milionëshe merr grante qeveritare gati 1 milion euro

Sakte.net / e Hënë 26 Shtator 2016 / 11:45

“Pikërisht njerëzit si Kelmendi, Devolli e të tjerë si këta, janë pjesë e rrjetit të bizneseve të lidhura me pushtetin, ku si gjithmonë nga paratë e tatimpaguesve përfitojnë bizneset e tyre,…në njërën anë për shpëlarjen e parave të pista të pushtetarëve, ndërsa në tjetrën, sa herë që u “thahet fyti” pushtetarëve, ua freskojnë me miliona euro, duke i nxjerrë fitimtarë gjatë fushatave zgjedhore me blerjen e votave të qytetarëve të varfër”, u shpreh analisti Florim Zeqa

Në bazë të shënimeve zyrtare, të dhëna nga Ministria e Bujqësisë, për gazetën “Kosova Sot”, është konstatuar se kompania ELKOS shpk, që për pronar ka deputetin biznesmen Ramiz Kelmendi, për momentin vetë pretendent për zëvendëskryeministër të Kosovës, për projektin e ndërtimit të qendrës grumbulluese për pemë dhe perime, i janë paguar mjete financiare në formë grantesh në shumën prej rreth 900 mijë euro. Sipas dokumentit zyrtar, përgjigjja e dhënë nga Ministria e Bujqësisë, del se kompania ELKOS ka përfituar plot 855 513.89, pra rreth 900 mijë euro, shkruan gazeta Kosova Sot.

Më saktësisht, në dhjetor të vitit 2012 i është paguar granti i parë në shumën prej 300 000, pastaj gjatë muajit shkurt 2014 edhe 300 000 euro të tjera, në mars po të 2014 edhe 200 000 të tjera, kurse në tremujorin e fundit të vitit 2014, në tetor, edhe kësti i radhës në shumën prej 55 513.89 euro. Përfaqësues të subjekteve politike dhe analistë të pavarur, këtë lloj subvencionimi të biznesmenit politikan, sidomos në kohën e nxehtë të periudhës së zgjedhjeve parlamentare, e shohin si një krijim të lidhjes akoma më të fuqishme të rrjetit ekzistues mes politikës dhe bizneseve oligarkike, që mbështesin njëra-tjetrin dhe krijojnë një qark të mbyllur dhe konkurrencë jolojale në ekonominë e vendit. Sipas opinionistëve, të cilëve u janë prezantuar këto fakte, mjetet financiare të paguara në atë kohë për ELKOS-in, grante në vlerë prej afro 900 000 eurosh, ishin vetëm edhe një shtysë e re shtesë që Ramiz Kelmendi të kapet akoma më shumë pas politikës, e cila është futur tek bizneset private oligarkike, prandaj edhe asokohe vendosi për kalimin në PDK dhe që zgjon dyshimin për mbështetje të fuqishme financiare të fushatës zgjedhore të PDK-së, të drejtuar nga ish-kreu i saj i atëhershëm Hahim Thaçi. Gjatë ditës së djeshme gazeta nuk ka arritur të marrë përgjigje se për çfarë arsye është bërë një subvencionim i tillë nga Ministria e Bujqësisë, pse e kanë ndihmuar me grante një biznesmen, i cili në deklarimet e tij publike pretendon se ka pagë mujore që shkon akoma më larg se granti i dhuruar qeveritar 1 milion euro, përderisa kemi qindra mijëra të tjerë që nuk marrin asgjë.

Kurteshi: Keqpërdorimet e qeveritarëve në këtë vend nuk kanë kufi

Ndryshe, deputetë nga opozita dhe analistët konsiderojnë se kjo situatë flet më së miri se si pikërisht njerëzit si Kelmendi e të tjerët, që janë pjesë e rrjetit të bizneseve të lidhura me pushtetin, gjithmonë përfitojnë nga paratë e tatimpaguesve dhe natyrisht si miku i tij Shkëlqim Devolli që ua “lag” fytin e tharë pushtetarëve, siç bën Devolli me Grabovcin. Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosjes”, Ismail Kurteshi, u shpreh për “Kosova Sot” se ky rast është dëshmia më e mirë se si funksionon lidhja e politikës me bizneset që e ushqejnë atë, nëpërmes keqpërdorimeve më skandaloze të pushtetarëve. “Keqpërdorimet e qeveritarëve në këtë vend nuk kanë kufi. Subvencionet në Kosovë nuk jepen si mbështetje për bujqësinë ose për zhvillimin e ndonjë kapaciteti përpunues që ndihmojnë prodhimet vendore, rritjen e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Në Kosovë subvencionimet jepen në formë të huas. Nga ai që qeveritarët i japin subvencion presin përkrahje, përfituesi merr obligim që subvencionin ta kthejë në formë të votës elektorale, donacionit për subjektin politik ose subvencionin ta kthejë në formë të mitës. Kjo edhe është arsyeja që subvencionimi bëhet ose në baza partiake, ose mbi bazën e lidhjeve farefisnore, ose mbi bazën e interesit reciprok”, u shpreh Kurteshi. Tutje ai ka shtuar: “Kjo praktikë e përhapur gjithandej vendit nuk mund të bëhet ndryshe as kur është në pyetje ETC-ja ose kompanitë e tjera, që kanë përjetuar rritje enorme për një kohë shumë të shkurtë tamam si vëllezërit dhe miqtë e politikanëve, që po i drejtojnë institucionet më të rëndësishme të vendit. Është indikative fakti se si vëllezërit dhe miqtë e politikave që i kanë kapur institucionet, i kanë kapur segmentet më të rëndësishme të bizneseve në Kosovë!?”, theksoi deputeti Kurteshi

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme