VMRO-DPMNE nuk heq dorë nga zgjedhjet e reja parlamentare të cilat do të mbaheshin së bashku me ato lokale. Nikolla Gruevski në paraqitjen e tij të parë publike pas dështimit për të formuar Qeverinë, porositi se i tërë procesi mund të zvarritet më shumë se gjysmë viti, derisa në fund të merret vendimi për zgjedhje të reja.
“Mund të ndodh, dy muaj, tre, gjashtë muaj e më shumë të mos formohet qeveria. Dhe në fund të gjithë të themi se duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, por i kemi humbur ato gjashtë muaj”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski.
Gruevski pranoi se me Ahmetin kanë zhvilluar bisedime thelbësore për gjuhën shqipe, por arsyetohet se atij i ka penguar që gjuha shqipe të jetë zyrtare në gjithë territorin, raporton Kosovapress.
“Diskutuam për atë që gjuha shqipe të përdoret në komunat ku jetojnë 20% shqiptarë. Por, jo vetëm shqiptarë, por edhe atje ku jetojnë të paktën 20 % e bashkësive të tjera, turq, rom, serbë, boshnjak, vlleh e të tjerë. Të gjitha bashkësitë e tjera që në disa komuna kanë më shumë se 20%, edhe ato të fitojnë diçka, nëse tashmë duhet diçka të përmirësohet ose nëse duhet të pranohet ide e re për përdorim të mëtutjeshëm të gjuhëve tjera në Maqedoni përveç maqedonishtes”, deklaroi Gruevski.
Gruevski përdori tone të ashpra ndaj një pjese të kryesisë së BDI-së – kryetarë të caktuar komunash, por pa i emëruar. Ata i porositi se duhet të frikësohen për zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Disa kryetarë komunash frikësohen sesi do kalojnë në zgjedhjet lokale. Një pjesë e tyre madje duhet të frikësohen, marrë parasysh atë që kanë bërë. Nuk them për të gjithë, por vetëm për disa. Filluan koalicionet partiake dhe strategjitë e mëdha t’i vendosin në kontekst të zgjedhjeve lokale, duke besuar se nëse je kundër VMRO-së, ndërsa tani në elektoratin shqiptarë është në modë të jesh kundër VMRO-së, dhe kush është kundër VMRO-së është më modern, më fensi”, ka shtuar Gruevski.
Gruevski konfirmoi se është takuar me Ahmetin, pasi paraprakisht përmes deklaratave me shkrim iu kërcënua se në të ardhmen mund të dëbohet nga partia, nëse tani nuk e respekton parimin “fituesi me fituesin”. Megjithatë, ai nuk tregoi se çka i ka thënë Ali Ahmetit.