Nga Zëri i Amerikës
Megjithëse Twitter-i kishte gjithnjë vështirësi në luftimin e keqinformimit për ngjarjet e mëdha, ky rrjet vazhdonte të shërbente si burim për të mësuar se ç’po ndodhte në botë. Por konflikti Izrael-Hamas nxjerr në pah se si platforma e transformuar tashmë në X, është bërë jo vetëm e pabesueshme, por edhe po nxit në mënyrë aktive të dhëna të pavërteta.
Nëse këto postime përhapen gjerësisht, krijuesit e tyre, që rrjeti i ka të shënuar me një shenjë blu, mund të kualifikohen edhe për t’u paguar nga rrjeti X, duke krijuar kështu një stimul financiar për të postuar çdo gjë që mund të marrë reagimet më të shumta – përfshirë keqinformimin.
Ian Bremmer, ekspert për politikën e jashtme, shkruajti në rrjetin X se niveli i keqinformimit për luftimet Izrael-Hamas që po mbështeten nga algoritmet në këtë platformë ‘nuk i afrohen asgjëje që kam përjetuar më parë gjatë karrierës time si shkencëtar politik’.
Gjithashtu, zyra e BE-së për zbatimin e rregullave dixhitale i shkruajti zotit Musk në lidhje me keqinformimin dhe ‘materiale ndoshta të paligjshme’ në rrjetin X. Kjo duket se po bëhet një ndër sprovat e para madhore për rregullat dixhitale që 27 vendet anëtare miratuan me qëllim pastrimin e rrjeteve të mediave sociale.
Ndërsa media sociale e zotit Musk është përfshirë nga kaosi, rrjete rivale si TikTok, YouTube dhe Facebook janë gjithashtu duke u përballur me një valë zhurmërash të pabaza dhe me të pavërteta për konfliktin, dhe po mundohen t’u kundërvihen atyre, ashtu si çdo herë tjetër që një zhvillim madhor ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës.
‘Njerëzit janë të dëshpëruar për informacion dhe përmbajtja e mediave sociale mund të ndërhyjë në mënyrë aktive tek aftësitë e njerëzve për të dalluar faktet nga trillimet’, thotë Gordon Pennycook, profesor i asociuar i psikologjisë në Universitetin Cornell ku studiohet keqinformimi.
Për shembull, në vend që të pyesin nëse diçka është e vërtetë, njerëzit mund të përqëndrohen tek aspekti nëse diçka është befasuese, interesante, apo nëse madje ka të ngjarë t’i zemërojë njerëzit – llojet e postimeve me më shumë gjasa që të shkaktojnë reagime të forta dhe të përhapen gjerësisht.
Grupi i aktivistëve liberalë ‘Media Matters’ zbuloi se që nga e shtuna, abonentët e shërbimit premium të rrjetit X shpërndanë të paktën gjashtë video me informacione të gabuara rreth luftës. Ndër to ishin video jashtë kontekstit dhe pamje të vjetra që pretendohej se ishin pamjet më të fundit, të cilat fituan miliona shikime.
Ndërkohë, rrjeti TikTok është ‘pothuajse po aq keq’ sa rrjeti X, tha Kolina Koltai, studiuese në organizatën investigative Bellingcat. Ajo ka punuar më parë në rrjetin Twitter në sektorin ku kontrolloheshin faktet e mbledhura.
Por ndryshe nga X, TikTok-u nuk është njohur kurrë si burimi nr. 1 për informacion në kohë reale rreth ngjarjeve aktuale.
‘Unë mendoj se të gjithë e dinë që duhet ta marrin TikTok-un me një dozë mosbesimi’, tha zonja Koltai. Por në rrjetin X ‘shohim njerëz që përfitojnë në mënyrë aktive nga dezinformatat për shkak të stimujve që ata kanë për të shpërndarë materiale që përhapen gjerësisht – dhe dezinformata ka tendencën të bëhet e tillë’.
Ndërkohë, platformat në zhvillim ende po gjejnë vendin e tyre në ekosistemin global të informacionit, kështu që megjithëse mund të mos jenë bërë ende objekt i fushatave të dezinformimit në shkallë të gjerë, ato gjithashtu nuk kanë ndikimin që kanë rivalët më të mëdhenj dhe më të hershëm në treg.
Rrjeti Threads në pronësi të kompanisë Meta që zotëron gjithashtu rrjetet Facebook dhe Instagram, për shembull po fiton terren në radhët e përdoruesve që largohen nga rrjeti X, por kompania deri më tani është përpjekur ta heqë theksin nga lajmet dhe politika, në favor të temave më ‘miqësore’.
Kompanitë Meta, TikTok dhe X nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment të agjencisë së lajmeve Associated Press.
Në një postim të hënën vonë nga ekipi i sigurisë i rrjetit X thuhet se: ‘Në dy ditët e fundit, kemi parë një rritje të përdoruesve aktivë të përditshëm në @X në zonën e konfliktit, plus ka patur mbi 50 milionë postime në rang global, të fokusuara tek sulmi terrorist i Hamasit ndaj Izraelit gjatë fundjavës. Ndërsa ngjarjet vazhdojnë të zhvillohen me shpejtësi, një grup drejtuesish nga mbarë kompania e ka vlerësuar këtë moment si një krizë që kërkon nivelin më të lartë të reagimit.’
Ndërkohë që janë shfaqur shumë imazhe reale dhe rrëfime të masakrave, ato janë përzier me përdoruesit e mediave sociale që përhapin pretendime të rreme dhe keqinterpretojnë video nga ngjarje të tjera.
Ndër trillimet janë pretendimet e rreme se u rrëmbye një komandant i lartë izraelit, një memo e korrigjuar e Shtëpisë së Bardhë që pretendon të tregojë se Presidenti amerikan Joe Biden po dërgon miliarda dollarë ndihma për Izraelin, si dhe video të vjetra pa lidhje me situatën të Presidentit rus Vladimir Putin, me mbishkrime të pasakta në anglisht. Madje edhe një video nga një lojë elektronike u transmetua si pamje nga konflikti.
‘Sa herë që ka ndonjë ngjarje të madhe dhe informacioni është në nivel të lartë, shohim keqinformimin të përhapet si zjarret në pyje’, tha profesori Pennycook. ‘Tashmë ekziston një model i qartë, por sa herë që ndodh, ka një rritje të papritur të shqetësimit për keqinformimin që tenton të zbehet sapo të kalojë momenti’.
‘Kemi nevojë për mjete që ndihmojnë në ndërtimin e rezistencës ndaj keqinformimit përpara ngjarjeve të tilla’, tha profesori Pennycook.
Tani për tani, ata që kërkojnë një qendër për të gjetur informacion të besueshëm në kohë reale në internet, mund të mos kenë fat. Megjithë papërsosmërinë që kishte Twitter-i, nuk ka asnjë zëvendësim të qartë për të. Kjo do të thotë se kushdo që kërkon informacion të saktë në internet duhet të tregojë vigjilencë.
Në kohëra lajmesh të mëdha, siç është konflikti aktual, zonja Koltai rekomandon që, ‘të shkoni tek emrat e njohur tradicionalisht të mediave të lajmeve si AP, Reuters, të cilët po bëjnë gjëra të tilla si verifikimi i fakteve’ dhe raportime aktive në terren.
Ndërkohë, në Evropë, platformat kryesore të mediave sociale po përballen me një kontroll më të rreptë në lidhje me luftën.
Sekretarja e Teknologjisë e Britanisë, Michelle Donelan, thirri drejtuesit për Britaninë e Madhe të kompanive X, TikTok, Snapchat, Google dhe Meta për një takim të mërkurën për të diskutuar ‘përhapjen e antisemitizmit dhe përmbajtjes jashtëzakonisht të dhunshme’ pas sulmit të Hamasit.
Ajo kërkoi që ata të informojnë për veprimet që po ndërmarrin për të hequr me shpejtësi përmbajtjen që shkel ligjin e sigurisë në internet të Mbretërisë së Bashkuar, ose termat dhe kushtet e tyre.
Komisioneri evropian Thierry Breton paralajmëroi në letrën e tij drejtuar zotit Musk për ndëshkime për moszbatim të Ligjit të ri të Shërbimeve Dixhitale të BE-së, i cili i vendos platformat më të mëdha në internet si X, nën një kontroll të shtuar dhe u kërkon atyre që ta bëjnë më të lehtë për përdoruesit që të raportojnë përmbajtje të paligjshme dhe të marrin hapa për të pakësuar dezinformimin – ose në të kundërt të përballen me gjoba deri në 6% të të ardhurave vjetore globale.
Zoti Musk u përgjigj duke lavdëruar përqasjen e platformës për përdorimin e klasifikimeve nga verifikimi i fakteve të mbledhura nga masa, një referencë e dukshme për strukturën Community Notes që përdorej nga Twitter-i.
‘Politika jonë është që çdo gjë të jetë me burime të hapura dhe transparente, një qasje që unë e di që BE-ja e mbështet’, shkruajti zoti Musk në rrjetin X. ‘Ju lutemi renditni shkeljet për të cilat aludoni për rrjetin X, në mënyrë që publiku t’i shohë ato’.
Komisioneri Breton u përgjigj se zoti Musk është shumë i vetëdijshëm për raportet mbi ‘përmbajtjen e rreme dhe glorifikimin e dhunës’.
‘Mbetet të demonstroni se i vini në jetë fjalët tuaja’, tha ai.