Mali i Zi konsideron se Maqedonia meriton të jetë anëtarja e 30-të e NATO-s, pas të gjitha reformave që ka zbatuar në periudhën e fundit, tha sot ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi Predrag Boshkoviç. Në Podgoricë, ai u takua me homologen e tij nga Maqedonia, Radmila Shekerinska.
Ministrat e Mbrojtjes të Malit të Zi dhe Maqedonisë u dakorduan se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të kontribuojë në mënyrë shtesë për stabilizimin dhe integrimin e rajonit.
Shekerinska beson se vendi ka zbatuar shumë reforma dhe se meriton të jetë pjesë e NATO-s.
“Vendimi i NATO-s i vitit të kaluar për të pranuar Malin e Zi si anëtari i 29-të tregon një hapje të re të derës për pranimin e anëtareve të reja. Për ne, ky vendim ishte edhe rikujtues dhe inspirim. Rikujtim se shteti mund ta pranojë ose lëshojë një shans të tillë dhe një inspirim se ambiciet e tilla të larta të një vendi të vogël mund të realizohen. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të thotë edhe një votë më shumë për anëtarësimin e Maqedonisë. Sot jam këtu për të falënderuar Malin e Zi për mbështetjen e madhe që ia jep Maqedonisë për anëtarësimin në NATO. Maqedonia meriton ftesë për NATO, për shkak të shumë reformave që ka zbatuar”, tha Shekerinska, raporton Anadolu Agency .
Ajo theksoi se Maqedonia ka rritur pjesëmarrjen në misionet e NATO-s.
“Më e rëndësishmja është se ftesa dhe pjesëmarrja e Maqedonisë në NATO sjell stabilitet të madh për mbarë rajonin”, tha Shekerinska.
Ministri malazez i Mbrojtjes, Boshkoviç tha se do të këmbëngulë që Maqedonia të jetë anëtarja e parë e ardhshme e NATO-s.
“Mali i Zi konsideron se Maqedonia meriton të jetë anëtarja e radhës e NATO-s dhe se tani si një anëtare e plotëfuqishme e NATO-s Mali i Zi dhe unë, si ministër, insistojmë për atë meqë Maqedonia e meriton, sepse kontribuon në stabilitetin e këtij rajoni dhe kjo është ajo që do të përcaktojë që ky rajon do të lëvizë më me vendosmëri drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, tha ai.
“Ne jemi të vetëdijshëm se vetëm pranimi i Maqedonisë në NATO nuk është kusht i mjaftueshëm për rajonin që të jetë plotësisht i përkushtuar ndaj atyre çështjeve që janë më të rëndësishme, domethënë çështjet ekonomike, një standard më të mirë jetësor për qytetarët. Sepse, për sa kohë që ka çështje të hapura, këto çështje vështirë se mund të vijnë në rend dite. Ilaçi për këtë është integrimi i rajonit në NATO dhe BE”, tha Boshkoviç.