Dy seanca para përfundimit të procesit gjyqësor, pritet të kërkohet ekzaminim ndërkombëtar i telefonit dhe pajisjeve kompjuterike të të miturit, Aulon Zeka, i cili është vrarë në shtator të vitit të kaluar në Prishtinë.
Ekzaminimin e ka kërkuar këtë të premte para gjykatës avokati mbrojtës i familjes së të ndjerit, Skender Musa, me arsyetimin se qëllimisht nuk është kryer ekzaminimi i pajisjeve nga ekspertët vendorë.
“Do të parashtrojmë kërkesë për ekzaminim ndërkombëtar të telefonave dhe pajisjeve kompjuterike të Aulon Zekës, për shkak se dyshojmë se qëllimisht nuk janë ekzaminuar nga ekspertët vendorë”, ka thënë për “Koha Ditore” avokati Skender Musa.
Me këtë ekzaminim, sipas avokatit Zeka, do të vërtetohet gjendja faktike sipas aktakuzës.
Ndërkohë, seanca gjyqësore nuk është mbajtur të premten, ku parashihej që të prezantohej fjala përfundimtare.
Ka munguar njëri nga avokatët e tre të akuzuarve për vrasje dhe ndihmë në kryerjen e këtij krimi.
Duke qenë se gjykimi për të mitur zhvillohet me dyer të mbyllura, pas përfundimit të seancës, avokati Musa, ka thënë se njëri nga avokatët ka munguar, me arsyetimin se është i angazhuar në një proces tjetër gjyqësor.
Për pasojë, seanca është shtyrë për datën 28 mars.
Bazuar në aktakuzë, tre të mitur akuzohen për vrasje dhe ndihmë në kryerjen e vrasjes në rastin e Aulon Zekës. I mituri i parë akuzohet për vrasje të rëndë, kurse dy të tjerët për ndihmë në kryerjen e vrasjes.
I mituri Zeka është vrarë me armë zjarri, sipas Prokurorisë, për motive të ulëta. Ai ishte vetëm 16 vjeç kur e vranë.