Kërkohet ndihma e Gjermanisë për të analizuar “pluhurin misterioz” në fushatën e PD-së

Është një mungesë aparature që nuk lejon të veprojnë në kohë ekspertët tanë mjeko-ligjor që t’u kthejnë përgjigje prokurorëve në lidhje me çështjen e analizave të disa prej personave të lënduar në mitingun hapës të Partisë Demokratike.

Kështu ditën e djeshme bëhet me dije se mjekët kanë kërkuar shtyrjen e afateve të një përgjigjeje për përfundimet konkrete. Sipas të dhënave ata janë shprehur se nuk kanë aparaturën e posaçme që mund të realizojë një zbulim të llojit të lëndës që është përdorur në atë ngjarje.

Ekspertët mendojnë se ajo aparaturë gjendet në Gjermani dhe se për atje janë nisur kampionët e 22 personave që pretendohet që kanë qenë edhe më të prekurit, raporton Shekulli. Kampionët e gjakut mësohet se do të marrin shumë shpejt përgjigje ku edhe do të përcaktohet lënda, ndërkohë që ditën e djeshme Prokuroria ka vijuar hetimet duke bërë të mundur marrjen e dëshmive të disa personave. Po ditën e djeshme është publikuar një video ku shikohet ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i cili ka refuzuar policia të bllokojë materialet e ndriçimit për të shkuar në duart e hetuesve për shkak se sipas tij nuk duheshin sekuestruar të gjithë.

Filmimi është kryer nga një punonjës policie i cili me sa duket ka qenë aty në momentin kur ministri ka qenë në terren dhe ka refuzuar që të bllokohen të gjitha aparaturat! Po ashtu ditën e djeshme të prekurit kanë dhënë edhe dëshmi të tjera publike në lidhje me momentin që kanë ndjerë shqetësime, ndërsa janë paraqitur në spital orë më vonë. Ndihmë nga Gjermania Referuar të dhënave që vijnë nga Prokuroria bëhet me dije se është kërkuar ndihmë nga autoritetet gjermane për të marrë një përgjigje në kohë rekord mbi incidentin e ndodhur gjatë mitingut të Partisë Demokratike, ku u dëmtuan 146 tubues.

Burimet zyrtare tregojnë se asistenca e të huajve do të kërkohet pasi nga komunikimet me ekspertët e mjekësisë ligjore është thënë se në Shqipëri ky proces zgjat sepse nuk disponohen aparatura të fjalës së fundit. Kjo ekspertizë do të konfirmojë se çfarë elementesh ndodheshin në gjakun e 22 shtetasve, të cilët u regjistruan për ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që pjesa tjetër u paraqiten me shqetësime të lehta. Por, nga ana tjetër, Prokuroria po pret edhe ekspertizën e ushtrisë që këqyri jo vetëm vendngjarjen në një perimetër të caktuar në bulevard, por edhe veshjet e protestuesve që shfaqen dhimbje sysh dhe në trup.

Jo zyrtarisht, thuhet se ekspertiza e Forcave të Armatosura tregon se në bulevard nuk është gjetur asnjë element i rrezikshëm. Por ndërkohë zyrtarisht Prokuroria nuk e regjistroi çështjen hetimore sipas referimit të policisë për dyshimet e ndotjes së ajrit, por për veprën 325 që është pengim i subjekteve elektorale për të zhvilluar aktivitetin e tyre. Ndërsa policia thotë se lëndimi i tubuesve është shkaktuar nga ndriçimi i projektorëve, i pyetur nga prokurorët pronari i kompanisë ka dorëzuar një sërë dokumentesh, sipas të cilave të njëjtët projektorë janë përdorur edhe në mitingje të mëparshme.

Rrëfimi

Një nga aktivistet që u lëndua gjatë mitingut të Partisë Demokratike mbrëmjes e së shtunës ka rrëfyer se si ndodhi ngjarja, ku rreth 140 persona u helmuan në rrethana ende të paqarta. Katerina Mullallai, psikologe e emisionit “Me zemër të hapur”, ka qenë një nga të lënduarit që u transportua me urgjencë në spitalin ‘Nënë Tereza’, në gjendje të rëndë për jetën. Ajo ka treguar dje se kaloi ditë të vështira për shkak të komplikacioneve që shfaqi sapo Lulzim Basha përfundoi fjalën e tij në podium.

Nga ana tjetër ajo pohoi mes të tjerash se ka dyshime që dikush mund të ketë hedhur diçka përreth podiumit ku fliste dhe lideri i PD-së. Mullallai tha se ajo dhe bodygardi i zotit Basha ishin më rëndë. “Jam më mirë mund të them, por kam kaluar një gjendje të rëndë. Fizikisht isha shumë e dëmtuar. Për veç pjesës psikologjike, dhe ajo fizike. Por për fat të mirë jam mirë dhe njeriu duhet t`i kalojë të gjitha”.

Ministri kundër prokurorisë

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj është filmuar natën në aksion “blic”. Ai ka ndërhyrë në një operacion të prokurorisë për të sekuestruar prozhektorët që dyshohet se kanë shkaktuar helmimin e dhjetëra personave në mitingun hapës të PD, të shtunën! Në një filmim që është botuar edhe në mediat shikohet ministri teknik Demiraj, i cili ndërhyn në hetimet e prokurorisë dhe nuk lejon oficerët e Policisë Gjyqësore që të marrin prozhektorët, si provë për hetimin. Argumenti që ai jep është se prozhektorët i duhen kompanisë për aktivitetin e një subjekti politik. Sipas Prokurorisë, helmimi mund të jetë shkaktuar nga dritat e prozhektorëve, por ende nuk dihet se nga cili prej tyre, pasi vetëm një pjesë e pjesëmarrësve u infektuan. Për të zbuluar se cili nga prozhektorët mund ta ketë shkaktuar ketë efekt dhe nëse kanë qenë prozhektorët shkaktarë, prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e tyre si provë për ekzaminim. Por ndërhyrja e Ministrit, jo vetëm e pengon hetimin, por kompromenton edhe provat hetimore, duke i lënë ato të pambikëqyrura, ndryshe nga sa ka urdhëruar prokurori, i cili është autoriteti i vetëm që vendos mbi hetimin.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme