Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit, ndaj te pandehurit (zyrtar policor), G.L., i cili është arrestuar të premten nën dyshimin se i njëjtit ka kryer veprat penale “Dhunimi”, “Shantazhi” dhe “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.
“Prokurori i shtetit, pas ndalimit të dyshuarit për 48 orë, brenda afatit ligjor, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themeloren të Pejës, përkatësisht në Departamentin e Krimeve të Rënda, për caktimin e masës se paraburgimit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Më tej thuhet se Prokuroria Themelore në Pejë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të kësaj çështje penale.
Policia ka arrestuar të premten një zyrtar policor, me gradën e rreshterit nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në aktivitete të kundërligjshme që sanksionohet me Kodin Penal të Kosovës.
Në njoftimin e Policisë thuhet se Inspektorati Policor i Kosovës rreth një muaj më parë kishte pranuar informacione përmes rrugëve operative se një i dyshuar (zyrtar policor me gradën e rreshterit në stacionin policor në Pejë) mund të jetë i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.
“Bazuar në këto informacione, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent filluan të ndërmarrin veprime hetimore/operative ndaj zyrtarit policor”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
“Bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes zyrtarin policor të përfshirë në këtë rast me dyshimin se i njëjti ka kryer vepër penale dhe atë nga neni 227, 329 dhe 202 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Në vazhdën e veprimeve hetimore, operacioni ka vazhduar me bastisje në Pejë bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Pejë ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme.