Apeli i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Ky vendim erdhi pas 3 ditësh, pasi peli i GJKKO-së, shtyu dhënien e vendimit deri më sot, për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka ankimuar masën e arrestit me burg. Prokurorët e çështjes, Olsi Dado dhe Altin Dumani kanë kërkuar vazhdimin e masës arrest me burg, por gjyqtarët vendosen që seanca për shpalljen e vendimit do të jepet nesër në orën 10:00.
Gjatë seancës së djeshme kryebashkiaku Veliaj ka kundërshtuar dosjen e SPAK, duke u shprehur se provat e reja janë “çimka dhe telefonatat e tij me djalin, si edhe familjen”. Sipas të dhënave, mësohet se nga seanca në Apelin e GJKKO-së, Erion Veliaj ka pretenduar se SPAK ka përgjuar 1 muaj bisedat e tij familjare që sipas kryebashkiakut kanë të bëjnë intervistat në media. “Ju nuk keni konsideruar prova të reja sulmet publike të Sali Berishës ndaj SPAK. Por keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen dhe interesimin tim për intervista në TV kryesore”, – mësohet se është shprehur Erion Veliaj. Ai ka kërkuar seancë me dyer të hapura duke u shprehur se: “Unë jam ende kryetar bashkie në detyrë, i votuar nga çerek milioni njerëz. Unë i qëndroj çdo postimi që kam bërë në rrjetet sociale”.
Vendimi i Apelit të GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 13.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 13 akti, datë 04.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.V., E.A., M.P., Sh.F., G.S., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 7, datë 09.02.02025 dhe vendimit nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
- Miratimin e vendimit Nr. 7 Akti, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin Nr. 14, datë 12.02.2025, të kësaj gjykate, me këtë ndryshim:
- Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arresti në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, e vendosur për personin në hetim E.A., me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i këtij Kodi;
- Urdhërohet personi nën hetim E.A. që të mos largohet nga banesa e tij, e cila ndodhet në “***”, si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton;
- Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim E.A. nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i izoluar për ndonjë shkak tjetër.
- Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.