Gazetar: Zekirija Haxhiu
Ndonëse si në nivel lokal, pra në nivel të Shkupit, ashtu edhe në nivel shtetëror, që nga Koçani e këndej kemi pasur mjaftë tragjedi. Kemi pasur vrasje, plagosje, vjedhje dhe shumë vepra të tjera penale. Megjithatë të gjitha këto nuk kanë mjaftuar që Këshilli i Sigurisë së presidencës të mbajë një takim të përbashkët dhe të diskutojë për të gjitha këto çështje sa i përket sigurisë në vend. Nuk është paraparë edhe në të ardhmen e afërt që të kemi një mbledhje të përbashkët të këshillit të sigurisë.
Televizioni Alsat dërgoi pyetje deri te presidenca nëse Këshilli i Sigurisë planifikon të mbajë mbledhje së shpejti, për të diskutuar për gjendjen e sigurisë. Megjithatë, nga presidenca nuk morëm asnjë përgjigje. Eksperti i sigurisë, Lubomir Gjurçevski, për Alsat shprehet se me qëllim uljen e pasigurisë në vend, nevojitet një konsensus politik mes partive dhe përmirësime ligjore. Gjithashtu, e nevojshme sipas tij, është të realizohet një aksion i gjerë i policisë për konfiskimin e armëve pa leje.
“Neve na nevojitet zgjidhje sistematike të gjithë atyre problemeve me qëllim për të parandaluar tragjedi të ardhshme të tillë si ajo në Koçani por gjithashtu duhet shumë të bëjmë për mbledhjen e armëve pa leje që e posedojnë qytetarët në Republikën e Maqedonisë me qëllim për të parandaluar vepra të tilla penale me elemente të dhunës apo elemente të likuidimit të qytetarëve”, tha Ljubomir Gjurçevski – Ekspert i Sigurisë.
Megjithatë, edhe përskaj të gjitha arrestimeve dhe paraburgimeve, problemi qëndron te gjyqësia shprehet Gjurçevski.
“Sado që policia të jetë efikase, autorizimet e policisë janë 24 orë. I gjithë autorizimi më pas kalon në Prokurori, gjegjësisht në gjykata. Ne ende kemi hetime jo efikase dhe seanca gjyqësore jo efikase ku kemi aktgjykime të cilat zvarriten dhe stërgjatën”, shtoi ai.
Vetëm në periudhën e fundit, në Maqedoninë e Veriut ndodhën një sërë incidentesh. Më 25 prill u vra një 31 vjeçar në Duqanxhik, më 27 prill një 16 vjeçar humbi jetën pas një aksidenti me motoçikletë. Nuk kanë munguar edhe arrestimet e rastësishme ku qytetarë dhe shoferë janë gjetur me drogë dhe armë pas kontrolleve të policisë./Alsat.mk