Ministri i Financave, Bedri Hamza së bashku me 7 këshilltarë të tij nuk e kanë pranuar pagën me rritje. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, këshilltari i ministrit Hamza, Lulzim Rafuna.
Edhe pse i kanë kryer të gjitha procedurat që zyrtarëve qeveritarë t’i dalin pagat me rritje, vet drejtuesi i ministrisë së financave, Bedri Hamza me këshilltarët e tij po refuzon të ia qes edhe vetës këtë pagë të lartë.
“Ministri Hamza ka kërkuar që të mos e marrë pagën me rritje dhe s’po dëshiron me shftyrëzu këtë të drejtë. Njëjtë edhe 7 këshilltaret e tij, nuk po dojnë me shfrytëzu pagën me rritje”, tha për KALLXO.com Lulzim Rafuna, këshilltar i ministri Hamza.
Rafuna e ka konfirmuar se të tjerët që i prek ky vendim i Qeverisë do e marrin pagën me rritje.
Kryeministri Haradinaj sot gjatë ditës në mes tjerash tha se ministri Hamza mundet me kallxu “burrni”, por vendimin duhet ta zbatojë.
Sipas Rafunës, kjo nuk lidhet me burrni, sepse bëhet fjalë për institucione e jo oda.
“Është çështje individuale kjo, nuk ka të bëjë kjo me burrni, nuk jemi në odë, jemi në institucione. Ideja është që a mendon që është vendim i drejtë një vendim i tillë apo ligjor. Ligjor është mëndu që është sepse kushtetuesja e ka thënë këtë, mirëpo tash s’po dojmë me shfrytëzu sepse kemi kërku që kjo gjë të rregullohet me ligj”, tha tutje Rafuna.
Ndërsa sa i përket asaj që Kryeministri tha se Hamza ta tregoj burrninë e tij duke e sjellë ligjin për nivelizim të pagave, Rafuna thotë se Ministria e Administratës Publike duhet ta punojë ligjin.
“Ne si ministri e kemi mbështetë këtë, zyrtarët e buxhetit e kanë përgatitë këtë, kanë punuar që disa ditë. Tani është çështje e Ministrisë së Administratës Publike sepse ata janë sponzorizues të këtij ligji. Ne e mbështesim veç në kuptim të buxhetimit. Pavarësisht kostos, Ministria e Financave do ta mbështesë”, tha tutje Rafuna për KALLXO.com.