Këshilltari i Ministrit të Jashtëm, Hoxhaj, kërkon ndërprerjen e dialogut me Serbinë

Azem Vllasi, Këshilltar i Jashtëm i Ministrit Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova duhet t’i ndërpresë bisedimet me Serbinë pas arrestimit të Nehat Thaqit, Komandant i Policisë në Mitrovicë. Mirëpo, Vllasi ka këshilluar institucionet e Kosovës të bisedojnë me BE’në për të kushtëzuar Beogradin që mos t’i arrestojë qytetarët e Kosovës për të cilët Serbia pretendon se kanë kryer krime gjatë luftës.

Pos Vetëvendosjes edhe Azem Vllasi po kërkon ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë pas arrestimit të Nehat Thaqit nga policët serbë në kufi me Kosovën. Vllasi po kërkon nga institucionet e Kosovës të bëjnë marrëveshje me BE’në për të kushtëzuar Serbinë që asnjë qytetar me aktakuza të Serbisë nga koha e luftës të mos arrestohet.

“Ka shumë njerëz që janë ndesh me luftën edhe në Kroaci dhe Bosnjë, e ata kanë shënime dhe dëshirojnë të i ndjekin penalisht. Në bazë të ligjeve të Serbisë pretendojnë të akuzojnë për terrorizëm. Kjo punë nuk duhet të lihet anash, të bisedohet me BE-në, dhe të merren vesh që Serbia s’ka të drejtë të procedurojë penalisht që kanë marr pjesë në luftën mbrojtëse të Kosovës”, ka thënë Vllasi për zëri.info.

Këto komente ish-funksionari komunist në ish-Jugosllavi ka thënë se Qeveria e Kosovës po deklarohet se është duke bërë diçka në lirimin e zyrtarit të Policisë së Kosovës, por se veprimet e Serbisë s’po kanë të ndalur.

Të enjten e kaluar, Nehat Thaqi, Komandant i Policisë në Mitrovicë, u arrestua në kufi me Serbinë, pasi ishte duke shkuar në Zvicër përmes shtetit serb.

Thaqi është arrestuar nën akuzën e kohës së luftës për terrorizëm.

Ky zyrtar i Policisë së Kosovës gjatë luftës së fundit ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.