Këshiltari politik i Kryeministri Mustafa, Bajram Gecaj, koalicionin PDK-AAK-Nisma e ka quajtur një koalicion të territ, i cili, sipas tij, është nënshkruar në terr dhe se i njëjti mund ta instalojë vetëm krimin.
Ky reagim i Gecajt vjen pas zyrtarizimit që u bë mbrëmë para mesnate në mes të PDK-së AAK-së e Nismës, që të tria bashkë të shkojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 qershorit.
“Koalicioni i territ PDK- AAK-NISMA. Është dizajnuar në terrin konspirativ, është nënshkruar në terrin e natës dhe mund të instalojë vetëm krimin dhe terrin”, është shprehur Gecaj.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur një marrëveshje koalicioni parazgjedhor vetëm me “Alternativën” dhe Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacollit.
Ndërkaq, pavarësisht se kanë biseduar edhe me “Vetëvendosjen”, duket se mes tyre ka pasur papajtueshmëri për të arritur marrëveshje, duke bërë kështu që VV të garojë e vetme në këto zgjedhje.
PDK përveç me AAK-në e Nismën në koalicion, ata dje gjatë ditës arritën marrëveshje edhe me shtatë parti të vogla. /Express/