Naim Murseli, këshilltar i kryetarit të partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacollit, ka thënë se AKR nuk do të jetë pjesë e Qeverisë në krye me Avdullah Hotin.
Kështu ka bërë të ditur ai përmes një njoftimi në Facebook, njofton Klan Kosova.
Kujtojmë se dje (25 prill, 2020) i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë të ditur se Këshilli i Përgjithshëm i subjektit politik që drejton, ia ka dhënë dritën e gjelbër Avdullah Hotit si mandatar për kryeministër.
Klikoni në linkun e mëposhtëm.
Pas mocionit të mosbesimit i cili u votua (25 mars, 2020) nga 82 deputetë kundër Qeverisë Kurti, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, disa herë ia ka kërkuar emrin e mandatarit Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo atij [Thaçit] nuk iu është ofruar një emër i tillë.
Pastaj ai ka mbledhur krerët ose përfaqësuesit e të gjitha partive politikë në Kosovë, për ta marrë parasysh vullnetin e tyre nëse vendi duhet të shkojë në zgjedhje në një kohë pandemie, apo duhet të formohet Qeveria e re pa shpërbërjen e Kuvendit.
Përveç Lëvizjes Vetëvendosje, të gjitha partitë kanë qenë për formimin e Qeverisë pa shkuar vendi në zgjedhje dhe është raportuar se Lidhja Demokratike e Kosovës, së bashku me partitë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Nisma Socialdemokrate do ta formojnë Qeverinë e re.
Mirëpo sipas deklarimeve të Murselit, AKR nuk do të jetë pjesë e “Qeverisë Hoti”.