Njohja, ndarja e Kosovës, marrëveshje pa njohje, konflikti i ngrirë… të gjitha këto opsione janë përmendur ditëve të fundit si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd.
Gazeta serbe Kurir në një raport ka publikuar pesë zgjidhjet e mundshme për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton lajmi.net.
Analistët serbë po vlerësojnë se nga marrëveshja përfundimtare, asnjëra palë nuk do të jetë e kënaqur.
Dushan Janjiq beson se ndarja ose demarkimi i kufijve janë opsionet më pak reale për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve.
“Këto dy opsione kundërshtohen fuqishëm nga vendet e QUINT-it. Besoj se negociatat do të përfundojnë me marrëveshje pa njohjen e Kosovës. Kjo do të përfshinte normalizimin e plotë të raporteve”, tha Janjiq.
Kurse analisti tjetër Branko Radun vlerëson se propozime të ngjashme për zgjidhjen mes Prishtinës dhe Beogradit kanë qarkulluar nëpër media për vite me radhë.
Këto janë pesë opsionet për zgjidhjen Kosovë-Serbi, sipas gazetës serbe Kurir:
Marrëveshja pa njohje: Kjo do të thotë vazhdimin e dialogut të Brukselit me nënshkrimin e një marrëveshje të detyrueshme por pa njohur pavarësinë e Kosovës. Ajo përfshin normalizimin e plotë të raporteve, dhe përparim në rrugën euro-atlantike.
Ndarja e Kosovës: Kjo do të nënkuptonte ndryshim të kufijve në Ballkan. Edhe pse është përmendur në Prishtinë e Beograd, ndarja nuk ka gjasë të ndodhë pasi është kundërshtuar nga disa shtete të fuqishme.
Shkëmbimi i territoreve: Kjo mund të nënkuptojë për shembull që Serbia ta marrë veriun, e Kosova Preshevën dhe Bujanocin. Kjo automatikisht do të nënkuptonte shkëmbimin edhe të popullsisë, pra do të krijohej një mjedis etnikisht homogjen.
Diskriminimi: Vendosja e kufijve midis grupeve etnike me status të veçantë. Ky është një koncept i sigurisë politike që përjashton konfliktet e mëdha midis shqiptarëve dhe serbëve. Është një lloj autnomie që jep garanci se qytetarët e dy entive nuk do të kenë problem.
Të injorohet zgjidhja e problemeve me Kosovën: Mbajta e një konflikti të ngrirë, ose vonimi i zgjidhjes. Disa grupe janë në favor të kësaj, por askush nuk ofron zgjidhje.