Këto janë dy mënyrat për ta anuluar vendimin e Haradinajt për rritje pagash

Vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj për rritje pagash të cilin e legjitimoi edhe Gjykata Kushtetuese, mund ta pengojnë vetë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duke e iniciuar sa më shpejtë Ligjin për Pagat, por edhe Agjencia Kundër Korrupsionit nëse vendos të ngrejë padi për këtë ligj që vetë ka konstatuar se përbën vepër penale.

Kështu ka deklaruar për Periskopin Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili e konsideron si të padrejtë edhe vendimin e Kushtetueses.

“Ajo çfarë do të duhet të bërë, është që vetë Kuvendi i Kosovës të marr vendim sa më shpejtë edhe ta miratojë ligjin për pagat e funksionarëve publik, dhe me mjete ligjore me i caktua edhe këto tavanet dhe koeficientet, dhe mos me leju që me u kthy në vendim të Qeverisë, se si ata e shohin të nevojshme për rritje të pagave ose jo”, ka thënë Krasniqi për Periskopin.

Megjithatë, ai shprehet skeptik për këtë nismë që mund të ndërmerret nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, pasi sipas tij një vendim i tillë për rritje pagash mund të iu konvenojë edhe atyre në të ardhmen nëse vijnë në pushtet.

“Deputetët munden me marrë iniciativë ligjore, projektligji tashmë ekziston një draft i tillë, dhe mbi atë bazë me e miratu Kuvendi, por po duket që më shumë është për konsumim të brendshëm publik, sesa që përnime partitë politike ose deputetët e Kuvendit kanë një vullnet për ta ndaluar miratimin e një ligji të tillë, pasi nesër vetë atyre mund të iu konvenoj të gjithëve atyre që munden me qenë në pushtet”, është shprehur ai.

Përveç Kuvendit, Krasniqi thotë se ky vendim i Haradinajt për rritje pagash mund të pengohet nga vetë Agjencia Kundër Korrupsionit që më herët kishte konstatuar se është në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, specifikisht nenin 424, i cili përcakton situatat e konfliktit të interesit në rastet kur zyrtarët e lartë shtetërorë marrin pjesë personalisht në ndonjë çështje zyrtare në të cilën ajo/ai apo ndonjë anëtar i familjes së tyre ose ndonjë person juridik që ka të bëjë me ta kanë interes financiar.

“Kështu që është në aspektin juridik , tani këtu është një shtjellim kogja i madh, dhe ka me qenë vështirë me prit një gjykim të drejtë prej këtyre gjykatave të cilat përfitojnë vetë nga ky vendim i Qeverisë. Prandaj mendoj që kjo është e vetmja mënyrë ligjore për me e ndalu një vendim të tillë, kurse një hapësirë tjetër është që Agjencia Kundër Korrupsionit me e ngrit rastin në Gjykatë, pasi ata vetëm kanë kosideru që është konflikt i interesit, dhe kështu me vazhdu në organe tjera gjyqësore me e pengu ekzekutimin”, ka deklaruar Krasniqi për Periskopin.

Krasniqi e konsideron si të gabuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendimit të qeverisë Haradinaj për rritje pagash, por thotë se një vendim i tillë ka mundur të parandalohet nëse pala ankimuese, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, do të kishte argumentuar më mirë për shkeljet që janë bërë, duke ia pa mundësuar kështu Kushtetueses që të nxjerr një vendim të tillë.

“Është vështirë me e komentu vendimin e Kushtetueses, pasi tani këto vendime nuk mundësh më me i ankimu, pasi janë vendime përfundimtare, Mirëpo në mendimin tim konsideroj që është jo i drejtë vendimi që ka marrë Gjykata Kushtetuese, nuk e ka mbështet në fakte, por edhe kërkesa mendoj që është dashtë me qenë, vetë partitë opozitare që e kanë dërguar këtë lëndë në Gjykatën Kushtetuese, me u përgatit më mirë, me argumentua më mirë, shkeljet të cilat ata kanë supozuar që janë bërë me këtë vendim, mos me i lënë hapësirë Gjykatës Kushtetuese me e interpretu në një formë të tillë”, ka shtuar ai.

Por ai nuk shpreson shumë që të Gjykatat të marrin ndonjë vendim kundër këtij ligji për rritje pagash, pasi edhe vetë gjyqtarët e prokurorët përfitojnë nga një vendim i tillë.

“Pasojat e këtij vendimi janë shumë më të mëdha, dhe është konflikt interesi pastaj për vetë gjyqtarët , prokurorët dhe për ata të Gjykatës Kushtetuese me e marr një vendim të tillë, pasi edhe ata përfitojnë prej këtij vendimi”, ka përfunduar Krasniqi për Periskopin.

Kundër këtij vendimi ka dalë Lëvizja Vetëvendosje e cila ka qenë edhe nismëtare e ankesës në Gjykatë Kushtetuese.

“Vendimi i Qeverisë Haradinaj për rritje të pagave përpos që është vepër penale është edhe kundërkushtetues pasi që ka ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit. Këtë e dëshmon edhe qëndrimi mospajtues i dy gjyqtarëve te Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani dhe Almiro Rodriguez”, ka thënë sot Haxhiu.

Deputetja e kësaj partie, Albulen Haxhiu, e ka quajtur të turpshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme