Këto janë tri ministritë që Xhavit Haliti propozon të shuhen

Sakte.net / E hënë, 17 Tetor 2016  –  11:27

Zërat për “shkrirjen” e disa ministrive të Qeverisë së Isa Mustafës vetëm sa vijnë e shtohen. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, ka propozuar që të shuhen tri ministri dhe të njëjtat t’i bashkohen ndonjë dikasteri brenda institucioneve të vendit.

 

Haliti ka kritikuar po ashtu qasjen e ministrave në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, ata po tregohen të papërgjegjshëm në raport me Kuvendin. Ai ka përmendur mungesën në kohën e debateve, informimin, si dhe injorimin që shpesh iu bëhet komisioneve parlamentare. Kjo, sipas tij, është një dobësi të cilën duhet ta kenë parasysh dhe ta ndryshojnë këtë qasje.

“Mendoj se s’ka nevojë me pas Ministri të Dialogut, të Diasporës si dhe të Integrimeve. Të gjitha mund të fokusohen në një drejtori të veçantë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të funksionojnë shumë mirë. Ose, mund të jenë në ndonjë kabinet afër Kryeministrisë apo ndonjë Ministrie tjetër. Opsion është që edhe njëri nga zv/kryeministrat mund ta marrë ndonjërin prej këtyre dikastereve dhe ta udhëheqin”, është shprehur ai.

Më tej, anëtari i kryesisë së PDK-së ka folur në “Indeksonline” edhe për diskutimet e fundit rreth riformatimit të Qeverisë, për të cilën janë deklaruar dy kryetarët e koalicionit qeverisës (LDK-PDK).

Ai thotë se Mustafa dhe Veseli janë dakorduar që të ndryshohet Qeveria, Mirëpo, Haliti, duke folur nga këndvështrimi i tij si deputet, ka dhënë disa vërejtje sa i përket mënyrës së zgjedhjes së ministrave.

“Ministrat nuk bëjnë betimin në Parlament dhe nuk nënshkruhen nga Presidenti pas propozimit. Çdo ndryshim i ministrave duhet të kalojë në Parlament për të marrë besimin e deputetëve. Më lehtë të kalosh procedurën të bëhesh ministër se sa të hysh në punë si nëpunës në institucionet e Kosovës. Sepse vetëm me një miratim të kryeministrit mund të bëhesh. Deri tash asnjë ministër nuk ka bërë betim pas riformatimeve. Mendoj se edhe shkarkimi apo ndryshimi i secilit dikaster të votohet në Parlament”, ka thënë Haliti.