Partitë politike në Kosovë kanë shpeshtuar takimet për të lidhur marrëveshje parazgjedhore, në mënyrë që të dalin triumfuese në garën e 11 qershorit, shkruan sot, gazeta Zeri.
Përderisa një numër i tyre tashmë janë bërë të njohura për publikun, një pjesë e caktuar e partive ende nuk kanë konkretizuar se me kë do të hyjnë në zgjedhjet parlamentare.
AAK-ja e “Nisma” tash e një kohë kanë bërë të ditur se do të hyjnë si koalicion i përbashkët në zgjedhje. Kurse përpos saj, deputetë të PDK-së kanë thënë për “Zërin” se ky subjekt është thuajse në përfundim të marrëveshjes për koalicion me dy partitë e vogla, atë të Drejtësisë dhe Lëvizjen për Bashkim.
Ndërkaq, partitë e tjera ende nuk kanë treguar se kë do ta kenë partner bashkëpunimi para zgjedhjeve. Pavarësisht asaj që flitej se LDK-ja do të mundë të bashkohej me LVV-në, kjo e fundit ka mohuar çdo mundësi për një koalicion të tillë. Nga ana tjetër, analistët konsiderojnë se opozita do të duhej të hynte me një listë të përbashkët në zgjedhje, në mënyrë që ta largonte përfundimisht PDK-në nga karrigia e pushtetit.
PDK-ja në prag të marrëveshjes me PD-në dhe me LB-në
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë për “Zërin” se kryesia e këtij subjekti ende nuk ka biseduar rreth koalicioneve parazgjedhore.
“Nuk kemi biseduar. Nuk jemi mbledhur ende Kryesia. Nuk kam informacione”, ka thënë ajo.
Mirëpo Shukri Buja, po nga ky subjekt, ka thënë për gazetën se PDK-ja është në prag të marrëveshjes për koalicion me PD-në dhe me Lëvizjen për Bashkim.