Këtyre deputetëve t’u ndalohet rikandidimi

Kemi parë se si të gjithë brenda natës bëhen juristë ndërkombëtarë, gjeodezistë e gjeologë, patologë e detektivë, ekspertë të terrorizmit e të sigurisë, të arsimit e të mjekësisë… por Kosova s’ka lëvizur vendi. Përmbushin vetëm një të tretën e obligimeve të Kuvendit. Përtojnë të shkojnë në vendin e tyre të punës. Më shumë shajnë njëri-tjetrin sesa që japin ndonjë ide, zgjidhje, orientim… Kjo legjislaturë Kuvendi jo të kërkojë privilegje personale edhe pas skadimit të mandatit, por t’u ndalohet të kandidojnë për së paku dy mandate të ardhshme. Meritojnë dënim, jo shpërblim!.

VETËM PARAMENDOJENI sikur në kohën e Rambouilletsë, ose të bisedimeve të Vjenës t’i kishim thënë nivelit më të lartë politik të SHBA-së dhe Gjermanisë “jo, se e kemi një ‘ekspert’ tonin, i cili po thotë gabim”, cili do të kishte mundur të ishte fati i Kosovës sot.
Jemi me fat që në ato momente kyç të historisë sonë kemi pasur politikanë shumë më vizionarë se që kemi sot!
Ata, në koordinim me SHBA-në dhe Gjermaninë, na e sollën lirinë dhe pavarësinë, këta po na e sjellin – izolimin.
Serbia, në anën tjetër, po i fërkon duart.
Nuk jam i sigurt nëse pas 4-5 vjetësh do të qeshim me këtë komedi, apo do të qajmë me këtë tragjedi.

KA GATI 2 vjet që politikanët na flasin për demarkacionin. Ka rreth 19 vjet që qytetarët flasin për mungesën e punësimit.

Për demarkacionin politikanët nuk pajtohen, varësisht a kanë qëlluar në pushtet, ose në opozitë, varësisht a kanë qëlluar me simpati, ose antipati ndaj liderëve të tyre. Për mungesën e punësimit s’i pyet kush a pajtohen ose nuk pajtohen ata – qytetarët e Kosovës janë më të papunësuarit në gjithë Evropën.

Mirëpo, jo vetëm kjo. Qytetarët e Kosovës janë edhe më të izoluarit në Evropë, kurse pasaporta e Kosovës është ndër më të pavlefshmet në botë.

Kosova është i vetmi shtet në Evropë që nuk njihet nga e gjithë Evropa, natyrisht as nga e gjithë bota.

Kosova është ndër shtetet e rralla në Evropë, e cila nuk e kontrollon një pjesë të territorit.

Me arsim si i ka punët?

Po me shëndetësi?

PËR SHEMBULL, vende të tjera simotra të Kosovës në Evropë, si Norvegjia dhe Finlanda, shqyrtojnë ide për t’i falur si dhuratë male njëra-tjetrës si shenjë e fqinjësisë së mirë. Kosova e bën problem demarkacionin me një ndër fqinjët më të rëndësishëm, Malin e Zi, edhe pse nga ky i fundit kanë thënë se nuk e kanë problem rishqyrtimin kurdo që ka ndonjë dyshim të bazuar.

Kosova e ka problem. Se deputetët e Kosovës nuk janë si deputetët e Norvegjisë e të Finlandës. Deputetët e Kosovës dëshirojnë që të komplikojnë me vite të tëra me probleme lehtë të zgjidhshme, meqë sikur t’i zgjidhnin shpejt – atëherë iu duhet të merren me probleme të mëdha, që kanë rëndësi jetike për qytetarët.

Hajde po e zëmë që Kosova po i fiton ose po i humb 8 mijë hektarë. Çka më tutje? A po ua përmirëson kjo jetën qytetarëve të Kosovës? A po punësohen më shumë njerëz? A po lëvizim më lirshëm? A po i rrumbullakojmë pavarësinë e sovranitetin?

Evropa e sotme i ka 48 shtete. 8 prej tyre janë më të vogla se Kosova, shumë më të vogla sesa për 8 mijë hektarë. Por Luksemburgut, Monakos, Maltës, Andorrës etj. nuk i ka penguar madhësia territoriale që të jenë disa fish më të zhvilluara se Kosova. Pse? Se sigurisht kanë pasur numër krejt të vogël të politikanëve qaramanë, që kapen për “çështje të mëdha” në mënyrë që të mos merren me “çështjet e vogla”.

Në Kosovë kemi mbetur peng i politikanëve si në pushtet ashtu edhe në opozitë, që luten të zgjasin sa më tepër antagonizmat e inatet rreth “çështjeve të mëdha” për shkak se në të dy taborët nuk ia kanë fort idenë se si t’i zgjidhin problemet reale të qytetarëve. Kështu që kanë zgjedhur të shesin – mjegull!

E THA DIKUSH kohëve të fundit – nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme, asnjë nga deputetët e kësaj legjislature nuk do të duhej të rikandidohej.

Plotësisht e saktë! Vetëm sikur të kishin pak fytyrë.

Në ulëset e kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës kemi parë vrasës të na mbajnë leksione paqeje.
Në ulëset e kësaj legjislature të Kuvendit kemi parë lexues të Hegelit e Kantit të na citojnë Reshat Badallajn.
Në ulëset e kësaj legjislature të Kuvendit kemi parë falsifikues të diplomës universitare të na flasin për nivelin e arsimit.

Në ulëset e kësaj legjislature të Kuvendit kemi parë se si të gjithë brenda natës bëhen juristë ndërkombëtarë, gjeodezistë e gjeologë, patologë e detektivë, ekspertë të terrorizmit e të sigurisë, të arsimit e të mjekësisë… por Kosova s’ka lëvizur vendi.

Përmbushin vetëm një të tretën e obligimeve të Kuvendit. Përtojnë të shkojnë në vendin e tyre të punës. Më shumë shajnë njëri-tjetrin sesa që japin ndonjë ide, zgjidhje, orientim…

ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME – menjëherë. Me një kusht – kjo legjislaturë Kuvendi jo të kërkojë privilegje personale edhe pas skadimit të mandatit, por t’u ndalohet të kandidojnë për së paku dy mandate të ardhshme.

Qytetarët e Kosovës s’kanë kohë për të humbur.

Edhe ashtu na kanë lënë mbrapa thuaja në secilin aspekt.

Këta deputetë meritojnë dënim, jo shpërblim!