Ushtarët zviceranë duhet të vazhdojnë të mbeten në Kosovë.
Pas Dhomës së Kantoneve (Senatit), edhe Dhoma Nacionale ka vendosur me shumicë votash për vazhdimin e misionit deri në fund të vitit 2020.
Gjendja në Kosovë është ende mjaft e brishtë dhe kështu nuk janë plotësuar kushtet për tërheqje, ishte qëndrimi i 100 deputetëve që votuan pro, kundruall 76 që ishin kundër dhe një abstenim.
SVP/UDC dhe të Gjelbrit me mocionet e tyre kishin kërkuar që Swisscoy të tërhiqej nga Kosova deri në fund të vitit 2020, transmeton albinfo.ch. Por qeveria dhe shumica në parlament janë të mendimit se gjendja në Kosovë është ende jostabile kështu që është herët për tërheqje.
Sidoqoftë, me votimin e sotëm konfirmohet vendimi i qeverisë që përbërja e misionit ushtarak zviceran në Kosovë të zvogëlohet nga 235 sa është tash, në 165 ushtarë sa do të jenë në fund të vitit 2020.
Përfaqësuesit e SVP/UDC-së në kundërshtimin e tyre kanë thënë se misioni zviceran dhe kostoja e tij pas 20 vitesh nuk mund të arsyetohen, përcjel albinfo.ch. Edhe ashtu, sipas tyre dobia që sjell ky mision është e dyshimtë.
Lisa Mazzone dhe Balthasar Glättli nga Partia e Gjelbër kishin kërkuar që misioni të kalojë në kompetencat e Ministrisë së Jashtme dhe të shndërrohet në një mision që do të mbështesë projekte të zhvillimit në Kosovë.