Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka bërë komentet e para që nga përfundimi i konfliktit 12-ditor të vendit të tij me Izraelin.
Ai e përgëzoi “popullin e madh të Iranit” për “fitoren ndaj regjimit të rremë zionist”, raporton televizioni CNN.
“Pavarësisht nga tërë ajo zhurmë dhe me të gjitha ato pretendime, regjimi zionist gati kolapsoi dhe u shtyp nën goditjet e Republikës Islamike” – citohet të ketë thënë Khamenei, sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve, IRNA.
Khamenei tha se Shtetet e Bashkuara “hynë në një luftë të drejtpërdrejtë, sepse e ndien se, nëse nuk do të hynin, regjimi zionist (Izraeli) do të shkatërrohej tërësisht”.
Sipas tij, ShBA-ja “nuk fitoi asnjë arritje nga kjo luftë”, duke shtuar se Irani ishte në gjendje që të dilte “fitimtar” dhe “ia dha Amerikës një shpullë të fortë në fytyrë”.