Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un u zotua sot se do të vazhdojë t’i dërgojë SHBA-së “Gift Packages” (paketa dhuratë) të testeve bërthamore dhe raketore pasi Uashingtoni konfirmoi se Pheniani e kishte testuar me sukses raketën e parë balistike ndërkontinentale (ICBM).
Kim tha se raketa është e aftë të nisë një bombë atomike, duke shtuar se nisja e raketës ishte një “dhuratë” për Ditën e Pavarësisë së amerikanëve.
Kim reagoi menjëherë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson bëri thirrje për të rritur presionin ndërkombëtar ndaj Koresë së Veriut pasi ai konfirmoi se raketa ishte e llojit ICBM (raketë balistike ndërkontinentale).
Fill pasi Tillerson përshkroi testimin e ICBM si një përshkallëzim të ri të kërcënimit nga Koreja e Veriut, SHBA-ja dhe Koreja e Jugut organizuan një manovër ushtarake të kombinuar që kishte për qëllim dërgimin e një paralajmërimi të fortë Phenianit, duke gjuajtur me breshëri raketash në Detin Lindor.
“SHBA-ja synon të dërgojë gjithashtu çështjen koreanoveriore në Këshillin e Sigurimit në OKB dhe të miratojë masa më të forta për të mbajtur nën kontroll Korenë e Veriut”, tha Tillerson në një deklaratë.