Nga Kim Mehmeti
Ai që nuk e kupton se çka është duke ndodhur në Veri të Kosovës në të vërtetë nuk e ka kuptuar se urrejtja ndaj shqiptarëve është pjesë e traditës, e kulturës, e folklorit…, si dhe e boshtit kurrizorë të atdhetarisë dhe patriotizmit serb. Madje ajo është edhe themel mbi të cilin qëndron Kisha Ortodokse serbe, e cila mbijeton mbi mendësinë për Kosovën si djep i serbizimit.
Andaj urrejtja serbe ndaj nesh me asgjë nuk varet nga sjellja jonë, ajo nuk ka të bëjë me atë si jemi, por pse jemi – me ekzistencën tonë fizike. Neve ata njësoj na kanë urryer edhe atëherë kur ishim sharrëxhinj që atyre ua sharronin drunjtë edhe sot kur jemi të gatshëm t’ua ‘sharrojmë’ vrullin antishqiptarë.
Pra ne mund të bëhemi aq paqësor sa ta mahnitim botën, ne mund të jemi më të dëgjueshmit e Perëndimit, të cilin Perëndim më shumë e irriton shqiptari që e bënë me duar shqiponjën dykrenore se sa serbi që bëhet gati të vrasë shqiptarë, pra ne mund të jemi mbrojtës më fanatik të paqes së Ballkanit, por kjo më asgjë nuk do e pakësojë urrejtjen serbe ndaj nesh.
Është mëkat të thuash se fëmijët serb urrejtjen ndaj shqiptarëve e thithin me qumështin e nënës, por pa dyshim se ata rriten duke u ‘ushqyer’ me atë urrejtje. Andaj ata na shajnë edhe kur luajnë futboll kundër nesh edhe kur përballen me ‘kinezët’, sepse e dinë se vetëm urrejtja ndaj shqiptarëve i frymëzon, i bashkon dhe ua forcon patriotizmin.
Por megjithatë ne duhet të ruajmë përparësinë që kemi: që fëmijëve tanë të mos ua injektojmë urrejtjen ndaj askujt, ngaqë ajo është verbëri që nuk të lejon t’i gëzohesh vetvetes.
Por sidoqoftë ne duhet ta dimë se njësoj si në të shkuarën, edhe në të ardhmen dhe, jo vetëm në Veri të Kosovës, por çdokund nëpër ‘Ballkanin e Hapur’ – ku hapur na e thonë se më shumë na pëlqejnë si kufoma të pashpirta se si të gjallë – do duhet të përballemi me këtë urrejtje irracionale dhe të rrezikshme. Pra ne duhet të jemi të gatshëm të mbrohemi nga ajo, duke e diture se mirësia jonë kurrë nuk mund të jetë ilaç që do mund t’i shërojë serbët që na urrejnë.
Ndërkohë duhet përmendur një të vërtet: Serbia kurrë nuk i ka ‘tradhtuar’ miqtë e saj shqiptarë, apo ‘serbët’ tanë. Përkundrazi, ka bërë veprime që atyre tua rritë namin ‘patriotik’ shqiptar në sytë tanë, që t’ua mbulojë shërbimet që ia bëjnë Serbisë.
Dhe ku ta dish, nuk është e pamundur që ndërkohë të mblidhen miqtë e ‘Ballkanit të Hapur’ që të ‘kontribuojnë’ për zbutjen e situatës në Veri të Kosovës. Me çka do vazhdojë tradita që heronjtë tanë të na i promovojë Serbia e ne të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë me ta: t’i mitimizojmë e t’u këndojmë këngë lëvdie.
Pastaj ku ta dish, mbase edhe ditëve të fundit, Kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i Serbisë dëgjohen mes veti nëpërmjet telefonit dhe bisedojnë edhe për të ardhmen e Kosovës. Apo siç pohuan dikur, gjatë bisedave e përqeshin patriotizmin primitiv. Kuptohet, si ‘properëndimorë’ që janë, tallen me patriotizmin shqiptarë e jo me atë serbë, i cili është i mirëkuptueshëm për Brukselin.
Por pa marrë parasysh afërsinë dhe miqësinë mes Tiranës zyrtare dhe Beogradit, nuk duhet të harrojmë kurrë se në masë të madhe, ‘Ballkani i Hapur’ nuk është vetëm dorë e zgjatur ruse në këto hapësira, por edhe mbulesë për urrejtjen serbe ndaj shqiptarëve. (Kim Mehmeti)/sakte.net