Nga Kim Mehmeti
Është e vërtet se Doktori i pari e vuri në zjarr kazanin ku gatuhej demokracia e baltosjes dhe e grindjeve më perverse ndërpartiake dhe se, ai i pari i promovoi në vlera kombëtare gazetarët e opinionistët që kishin vetëm një armë, e cila i bënte të guximshëm e të paprekshëm gjatë mbrojtjes së partisë në pushtet: paturpësinë dhe pandëshkueshmërinë. Paturpësi të cilën e shitën aq shtrenjtë sa u bënë kapitalistë dhe pronarë të vilave të shtrenjta, paturpësi e cila u lejonte të publikonin edhe shpifje monstruoze të llojit se i biri i kundërshtarit politik, ka baba gjyshin e vet dhe se, e bija e të padëgjueshmit partiak, është prostitutë e licencuar!?
Nga ky kazanë ku zihej demokracia e baltës, nuk mund të gatuhej asgjë më shumë se ‘Rilindja’ e Piktorit, e cila e promovoi demokracinë e hajdutëve, të cilët e mbivotojnë të ndershmin. Si dhe demokracinë e pasanikut që mund të blejë me mijëra votues të varfër, me çka u përurua parimi pushtetmbajtës – ‘varfëro e sundo’.
Dhe nëse demokracia e ‘baltës’ e prodhoi ‘hajdutokracinë’, atëherë ‘Rilindja’ që rrënoi shtet e Teatër Kombëtar, që mbështeti projekte ruso-serbe si ai i ‘Ballkanit të Hapur”, mund të mbahej në pushtet vetëm me ndihmën e një opozitë politike të drejtuar nga kryetari që sot ka vetëm vulat e PD-së, e i cili duke besuar se humbja të cilën mund ta arsyetosh është fitore, u lëvdua se kurrë nuk ka qenë humbës, me çka shpalosi një të vërtet të madhe: burrështetasit shqiptarë nuk humbin gjë as atëherë kur e ndihmojnë kalbjen e shtetit dhe varfërimin e popullit.
Tani, nëse demokracinë e baltës mund ta mposhtte vetëm vëllazëria e qelbësirave të bashkuara të ‘Rilindjes’, atëherë shtrohet pyetja se kush mund ta ndërpres këtë zinxhirë të panatyrshëm të kalbjes së shoqërisë shqiptare?
Gabojnë ata që thonë se tani çdo gjë varet nga largimi i treshes që simbolizon demokracinë e baltës, atë të hajdutërisë dhe opozitën që mbjellë dëshpërimin rinorë. Jo, nuk mjafton kaq sepse Shqipërinë e ka mbuluar plehu politikë, që nuk e përbëjnë vetëm politikanët, por edhe shumë gazetarë, opinionistë, artistë të ‘pavarur’…, tërë një kastë parazitësh, që u pasuruan duke investuar vetëm paturpësinë e të qenurit shërbëtorë i të pushtetshmit dhe të pasurit.
Sidoqoftë, tani për tani, nuk janë aq me rëndësi rrjedhat demokratike në Shqipëri, sa era e gjakut që e ndjellë botën dhe që e atë e ka katandisur drejtë luftës globale, E kur jemi te erërat e luftës, të cilat tani më e kanë përfshi edhe Evropën, ato do ndalen ashtu si gjithmonë: pasi të fortit t’i matin muskujt ushtarak, ekonomik e politik, pra pasi të ulen e të merren vesh si do ia bëjnë me të vegjlit e të varfërit. (Kim Mehmeti)/sakte.net