Nga Kim Mehmeti
(Duke lexuar librin e Fatos Lubonjës “Jetë burgu”)
Ky libër i Lubonjës ngjanë edhe në hartë topografike të ferrit, e vizatuar nga topografi që e dinë cilat janë ‘ngrehinat’ që duhet shënuar në të që të shpërfaqet e vërteta e plotë se jo vetëm dikur, por në masë të madhe edhe sot, nëpër shoqëritë shqiptare ka qenë fatkeqësi të jesh njeri. Por njeri me të gjitha që e përbëjnë të padukshmen e tij, atë që e definon atë si të tillë: të jesh i urtë, i moralshëm, i ndërgjegjshëm, i dinjitetshëm…të ndjesh përgjegjësi edhe për fatin kolektiv, e jo vetëm për atë vetjak.
Kur e përfundon së lexuari këtë libër vetvetiu të vjen pyetja: nëse Enveri me shokët ishin projektuesit dhe ndërtuesit e këtij ferri, atëherë cilët ishin baltaxhinjtë dhe bartësit e tullave që i ndihmuan muratorët. Si dhe cilët ishin mirëmbajtësit e tij, pra cilët ishin ata që jetonin në burgun e madh të quajtur Shqipëri, duke e heshtur të vërtetën për burgjet e vegjël ku kalbej ajka e shqiptarisë.
Ku ta dish, mbase ka ardhur koha kur duhet të shkruhet libri për ata të ‘burgut të madh’, libri që do e shpërfaq të vërtetën se mirëmbajtës të lagjeve të ferrit të Enverit nuk ishin vetëm drejtuesit e shërbimeve sekrete, as vetëm drejtuesit e kooperativave bujqësore apo planifikuesit e pesëvjeçarëve të industrializimit të Shqipërisë, por edhe artistët dhe banorët e kalasë kulturore shqiptare. Pra duhet të rrëfehet e vërteta se pa mbështetjen e artit dhe të kulturës, Enveri kurrë nuk do t’ia dilte të bëhej ai që ishte.
Duhet shkruar pra libri që do e shpërfaq të vërtetën se mirëmbajtësit e dikurshëm të lagjeve të ferrit enverist ishin si këta të sotmit që heshtin kur Piktori rrënon Teatrin Kombëtarë, kur e kriminalizon dhe e bënë Shqipërinë vend të pajetueshëm për shqiptarët. Pra duhet dikush të rrëfej për lagjet ku jetojnë ata që i shërbejnë çdo regjimi e çdo sunduesi, që bëhen akademikë e drejtues të institucioneve kulturore e shkencore ngaqë kanë një vlerë që i bënë të përdorshëm për gjithë kohët e gjithë sistemet: Janë varr i njerëzores në vetvete.
Ku ta dish, mbase edhe atë libër askush nuk mund ta shkruajë më mirë se Lubonja i cili me rrëfimet për jetën e burgut dëshmon se e dinë që ndjenjat njerëzore nuk flasin me gjuhën me të cilën përshkruhen ngjarjet dhe njerëzit, se ato shpërfaqen vetëm nëpërmjet fjalëve e fjalorit që nuk janë mjet për të gënjyer e për ta shtrembëruar të vërtetën, që nuk të shërbejnë që të tregohesh i tillë siç nuk ke qenë.
Pra vetëm nëpërmjet fjalëve e fjalorit që nuk e njohin shumë nga projektues e sotëm të së ardhmes shqiptare, shumë nga ata që u ngutën t’i shkruajnë biografit e veta jo për të qartësuar të shkuarën, jo për të ndihmuar popullin që të kuptonte se çka i kishte ndodhur, por për të kundërtën: për ta përdorur fjalën si mjet për të gënjyer e për ta shtrembëruar të vërtetën, për ta mbuluar të shkuarën e tyre kur nëse jo muratorë, atëherë kishin qenë mirëmbajtës të lagjeve të ferrit komunist. (Kim Mehmeti)/sakte.net