Nga Kim Mehmeti
Miq të faqes sime të FB me të drejtë më pyesin: për cilën parti të votojmë në këto zgjedhje vendore në Maqedoni?
Në vend të përgjigjes, ja një rrëfim të shkurt nga përvoja personale, e ku fshihet përgjigjja.
Edhe sikur ta mohoja, paraqitjet e mia publike dhe shkrimet e tri dekadave, e dëshmojnë se i kam përkrahur të gjitha partitë e reja, duke u nisur nga parimi se ato do jenë mundësi dhe shpresë e re politike për shqiptarët e Maqedonisë.
Pra e përkraha PDSH-në e dalë nga PPD-ja, duke shpresuar se ajo nuk do i trashëgonte vetit poltroniste të nënës parti që e kishte lindur.
Ndërkohë nuk u besoja miqve nga Prishtina që më thoshin të jem i kujdesshëm sepse, nga dy mjekrat që drejtojnë këtë parti, njëra do shet patriotizëm dhe do filozofojë, e tjetra do na disiplinojë e do materializojë.
Dhe ndodhi e papritura: PDSH-ja u bë dora shqiptare që na dhunonte ‘maqedonisht’ dhe, ajo u shndërrua në sekte politike që instrument veprimi kishte rrugaçërinë partiake.
Pastaj erdhi konflikti i 2001 dhe si mund të mos e përkrahje e mos e ndihmoje BDI-në, e themeluar nga të ardhurit nga Zvicra dhe nga të porsa zbriturit nga mali? Dhe kush mund ta besonte se të ardhurit me kalin e bardhë të komandantëve, do përfundonin si heronj mbi gomarë, duke u bërë pula të rrjepura përballë qarqeve politike e policore maqedonase?
Edhe kësaj radhe nuk u besoja miqve të mi nga Tiranë e Prishtinë kur më thoshin të mos u besoj së tepërmi enveristëve që e drejtojnë këtë parti ,sepse ata besojnë që leninistit dhe demokratit dallojnë vetëm nëpërmjet asaj se i pari ‘falet’ i kthyer nga Moska, e i dyti me fytyrë të drejtuar nga Uashingtoni e Brukseli.
Pasi u pa se BDI-ja na ktheu thuajse aty ku ishim në kohën e Rankoviqit, pra në vitet kur shqiptar i mirë ishte vetëm ai që i shërbente partisë dhe që i bindej policisë, morra pjesë në themelimin dhe ngritjen e Lëvizjes Besa (por asaj burimores, e jo kësaj të sotmes të cilës i mungojnë të gjitha, përpos pabesisë).
Dhe me këtë Lëvizje arritëm diçka të paimagjinueshme: për gjashtë muaj aktivitet, morëm pesë deputet ( pa i llogaritur dy që na i vodhën) dhe gjashtëdhjetë mijë vota.
Ndërkohë unë sërish nuk u besoja miqve të mi në Prishtinë e Tiranë kur më thoshin se disa nga ‘hoxhallarët’ e kësaj partie, fenë e kanë vetëm mbulesë për pabesinë.
Pra nuk u besoja atyre që më rekomandonin të jem i kujdesshëm ndaj disave të ‘Klanit të Llërcës’ dhe ‘vullnetarëve’ të Prespës, sepse ata jo se e shajnë kishën dhe xhamisë nuk ia din rendin, por pse ‘kible’ e kanë pushtetin!
Nuk u besoja sepse isha i bindur se fetarë siç shtireshin se janë, në mos më shumë, e kanë frikë Zotin dhe si të tillë, më parë shkojnë në shtëpi e nuk merren me politik se sa të shkelin mbi vullnetin e gjashtëdhjetë mijë shpresave, kryesisht, rinore shqiptare. Dhe se e kanë kuptuar që copëzimi dhe zhbërja e ‘Besës’, përfundimisht do e varrosë shpresën se shqiptarët e Maqedonisë mund të kenë opozitë të veten, të pandikuar nga qarqet policore e politike maqedonase.
Andaj mund të them se i njoh në thelb gjitha partitë shqiptare të Maqedonisë. Ashtu siç më njohin mua drejtuesit e tyre. Dhe shumë kam parë e përjetuar, por askund jo atë pabesi dhe intrigë që e kam parë e përjetuar te Lëvizja ‘Besa’, ku drejtuesit e saj të atëhershëm, që nuk nisnin asgjë pa ‘Bismilahë’ dhe pa marr avdes, të cilët nuk falnin nga pesë, por nga shtatë namaze në ditë, që agjëronin nga nëntëdhjetë ditë në vit, por që ishin të gatshëm ta hanin edhe bishtin e derrit vetëm sa më shumë t’i dëmtonin ‘vëllezërit’ e vet të deridjeshëm.
Dhe kuptohet, pas gjithë kësaj përvoje, as që më shkon ndër mend të besoj se gjithë e kanë pasur gabim, e vetëm unë kam qenë i pagabueshmi. Siç nuk më shkon ndër mend të them se populli nuk ka të drejtë t’i votojë edhe hajdutët dhe të pafytyrët e parisë së vet. Mirëpo, kjo aspak nuk më lejon të tradhtojë bindjen time mbase edhe të gabuar se, partitë shqiptare në Maqedoni, në masë të madhe, nuk janë të kontrolluara nga shqiptarët dhe as që punojnë në interes të shqiptarëve, se politika atyre ua mbulon biznes aktivitetet me qarqet maqedonase si dhe me Tiranën e Prishtinën zyrtare./sakte.net