Kim Mehmeti: Plazhi i Madh i Ulqinit nuk fletë më shqip!

         Nuk ka verë të mos vij në Ulqin, sepse atë e dua dhe ai është pjesë e biografisë sime. Por Plazhi i Madh i sotëm i tij kurrë nuk më është dukur me kaq pak pushues, pa lazdranin fëmijërore, si i plogësht, i lodhur nga vetvetja dhe thujase ka harruar të fletë shqip.
            Ekspertë e ‘shkathtë’ japin shumë shpjegime pse te Plazhi I Madh mungojnë shqiptarët duke përmendur se çmimet e larta ata i kanë çuar t’ia mësyjnë Greqisë e Turqisë?!
               Kur jemi te çmimet duhet thçnë se Ulqini që ka det, thuajse me asgjë nuk është më i shtrenjtë se Prishtina që nuk ka as lum, se Tirana të cilën e qelb Lana dhe Shkupi të cilit Vardari i kalon në mes, thuajse vetëm sa për ta ndarë pjesën shqiptare të tij ku mezi merret frymë nga ajo maqedonase me përplot gjelbërim dhe ku mungojnë vetëm palmat.
              Sidoqoftë edhe sivjet, si edhe shumë vite më parë , kam ndjenjën se nuk vij në Ulqin që të pushoj, por që të ‘lodhem’ duke e ndërmendur të shkuarën. Si për shembull, vitet e rinisë, kur për ne shqiptarët e Maqedonisë, Ulqini ishte shumë më i largët se sot, sepse duhej t’i biem rreth e rrotull Shqipërisë dhe ngaqë ishim të paraparë t’u shisnim akullore e petulla pushuesve gjerman, e jo të laheshim në det.
               Disa nga ne edhe asokohe vinim në Ulqin në rolin e pushuesve. Por me ‘bukën tonë’ dhe me bujtinë të ‘rezervuar’ nën hijen e ndonjë pishe te Plazhi i Madh. E ku arrinim me makinën e famshme në formë veze, të quajtur ‘FIço’, që ishte shpikje italiane e prodhim jugosllav dhe që, nuk kishte mjaftueshëm vend as për grahësin e saj e le më për ne katër vetat që nuk ishim të sigurt nëse ajo do na çonte neve deri te Pazhi i Madh, apo ne atë deri te punëtoria e vogël e ndonjë automekaniku ulqinak.
                Përndryshe edhe ne të rinjtë e asaj kohe, njësoj si këta të sotmit, fotografoheshim duke u hedhur në det. Dhe fotot e atëhershme bëheshin krejt ndryshe dhe ishin bardh e zi, por ne i shinim në ngjyra. Mbase pse në prapavijën e tyre shiheshin shpresat tona rinorë për një të ardhme të ndritur, e jo si në këto të sotmet të bëra me telefona celular, të cilat janë në ngjyra, por që rrezatojnë vetmi.
               Më vonë, kur unë isha në moshën që kanë sot fëmijët e mi, e kur ata ishin sa fëmijët e tyre tani, Plazhi i Madh i Ulqinit thuajse mezi mund t’u bënte vend të gjithë shqiptarëve që donin të rreziten mbi zallin e tij.
            Por sot është krejtë ndryshe. Dhe andaj përderisa shëtis bregut të detit, më bëhet se i dëgjoj thirrjet e largëta të shitësit të gazetës ‘Rilindja”, në të cilën njësoj si nëpër portalet e sotme, dominonin lajmet për luftërat që kanë nisur qysh se botën e kanë populluar njerëzit, e që do përfundojnë kur të mos këtë njeri mbi tokë.
           Por me atë dallim që për luftërat e atëhershme gaezetarët shkruanin më njerëzishëm ngaqë donin të kenë lexues e jo ‘klikues’. Pra ngaqë asokohe e vërteta nuk ishte kufomë të ciën e brejnë klikimet. (Kim Mehmeti)/sakte.net
Mund të jetë një imazh i muzg, natyra, oqean dhe horizont

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme