Nga Kim Mehmeti
Shpesh herë më bëhet se dallimi i vetëm mes partive të dikurshme komuniste, që ndërtonin socializëm dhe, këtyre të sotmeve që ndërtojnë demokraci, është se liderët komunistë donin t’i nënshtrojnë e t’i përvetësojnë të aftët e të diturit, ndërkaq drejtuesit e partive ‘demokratike’ duan të jenë sa më të afërt me ‘budallenjtë’ dhe kriminelët.
Kush nuk e beson këtë le të sheh, për shembull, se cilët ishin poetët, profesorët, gazetarët … që i shërbenin Xhaxhit Enver dhe cilët janë ndër më të besuarit e Piktorit në Shqipëri dhe të drejtuesit të BDI-së në Maqedoni?!
Pastaj, më duket se nuk ka shumë dallim edhe sa i përket rrugëtimit drejtë të ardhmes sonë: komunistët na çonin drejt proletariatit të bashkuar, me kryeqendër Moskën, e demokratët drejtë Brukselit, ku nga dita në ditë, thellohet gropa septike, në të cilën zbrazen ujërat e zeza të ëndrrës sonë politike për vlerat në të cilat nuk besojnë më as vetë Perëndimorët.
Ku ta dish: një ditë, mbase edhe demokracinë do e shajmë ashtu siç, me të drejtë, e shajmë sot socializmin, por ndërkohë duke mos e kuptuar se ‘zhvillimi’ i rendeve shoqërore rrotullohet rreth boshtit të vetëgënjimit se mund ta arrijmë të pamundurën – të ndërtojmë shoqëri mbi themelet e drejtësisë dhe njerëzores!” (Kim Mehmeti)/sakte,net