Një studim i ri nga një grup ekspertësh paralajmëron se Shtetet e Bashkuara e kanë humbur mbizotërimin ushtarak në rajonin e Oqeanit Paqësor. Sipas tyre, Kina është e aftë ta fillojë dhe ta fitojë një përballje ushtarake edhe para se forcat amerikane ta fillojnë kundërpërgjigjen.
Qendra Studimore e Universitetit të Sydney-t e publikuan hulumtimin rreth disa ndryshimeve strategjike që janë duke ndodhur në rajonin e Paqësorit, duke parashikuar shtrirjen dhe zgjerimin e ndikimit kinez.
Në raportim e titulluar “Parandalimi i krizës: Strategjia, shpenzimet ushtarake dhe mbrojtja kolektive amerikane në rajonin e Paqësorit” thuhet se Shtetet e Bashkuara nuk kanë më epërsi ushtarake në këtë rajon dhe se kapaciteti për të mbajtur baraspeshë të fuqive mbetet i pasigurt.
“Efekti i kombinuar i luftërave të vazhdueshme në Lindje të mesme, buxheti i kufizuar dhe mungesa e investimeve në kapacitete të avancuara ushtarake i kanë lënë Shtetet e Bashkuara të papërgatitura për ballafaqime të mëdha të forcave në rajonet e Paqësorit dhe Oqeanit Indian”, thuhet më tej në këtë raport.
Për më tepër, ekspertët paralajmërojnë se largësia e bazave amerikane nga disa territore të këtij rajoni do t’ia mundësonte Kinës realizimin e sulmeve ushtarake kundër aleatëve rajonalë të Shteteve të Bashkuara dhe të shënojë fitore para se forcat amerikane ta fillojnë kundërpërgjigjen, shkruan “Fox Neës”.