Kina ka paralajmëruar se nëse qeveria e re amerikane do ta pengojë lëvizjen dhe veprimtarinë e saj në Detin e Kinës Jugore, atëherë “duhet të jenë në gatishmëri për përplasje ushtarake”.
Në kryeartikullin e sotshëm të gazetës zyrtare vendase “Global Times”, janë shprehur reagime ndaj deklaratës së ashpër të kandidatit për sekretar Shteti në administratën e Donald Trump, Rrex Tillerson, i cili kishte theksuar:
“Duhet ta pengojmë qasjen e Kinës në Detin e Kinës Jugore”.
Sipas kryeartikullit, Tillerson ka mbajtur qëndrim të ashpër kundër Kinës në mënyrë që të fitojë mbështetjen e senatorëve.
“Duke pasur parasysh fuqinë aktuale ushtarake të Kinës, Washingtoni zyrtar në ardhje nuk do të ketë sukses ta pengojë qasjen e Kinës në ishujt që gjenden në Detin e Kinës Jugore, vetëm nëse planifikon luftë të shkallës së lartë“, thuhet në kryeartikull.
Kina ka bërë një paralajmërim të qartë:
“Nëse Trump dhe ekipi i tij kanë plane të këtilla pas ardhjes në detyrë, atëherë ata duhet të jenë në gatishmëri ushtarake. Në të kundërtën, kjo lëvizje e tyre do të ishte qesharake“.
Autoritetet kineze paraprakisht kishin reaguar edhe ndaj bisedës direkte telefonike të Donald Trump muajin e kaluar me liderët e Tajvanit, gjë e cila sipas tyre ishte cilësuar në kundërshtim me praktikat diplomatike.
Pekini zyrtar, i cili përpiqet ta forcojë pozicionin në ujërat e kontestuar duke ndërtuar baza ajrore në ishujt artificialë në Detin e Kinës Jugore, është pjesë e kontestit për sovranitet me shtetet e rajonit, përfshirë Filipinet, Vietnamin, Brunein dhe Malajzinë, për Detin e Kinës Jugore i cili është i pasur me resurse të pasura nëntokësore.
Transporti detar që realizohet përmes këtij rajoni, mundëson një tregti globale vjetore e cila kap vlerën prej afërsisht pesë trilionë dollarësh.
Kina pretendon se ka të drejtë mbi 80 përqind të rajonit prej rreth tre milionë kilometrash katrorë në Detin e Kinës Jugore, ndërsa pretendimin në fjalë e mbështet në një hartë të ngelur nga viti 1940.
Gjykata e arbitrazhit kishte vendosur në disfavor të Kinës.
Nga ana tjetër, vitin e kaluar Filipinet e kishin transferuar kontestin me Kinën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Gjykata në Hagë të Holandës kishte dhënë vendimin se “pretendimet e Kinës mbi Detin e Kinës Jugore janë në kundërshtim me ligjet“.
Menjëherë pas kësaj, Pekini zyrtar kishte deklaruar se nuk e njeh vendimin e gjykatës, ndërkohë që SHBA-të e kishin cilësuar atë si “kontribut i rëndësishëm” për zgjidhjen paqësore të kontestit.
Ndërkohë, administrata Obama dërgonte njësite ushtarake në rajon, duke pohuar se Deti i Kinës Jugore është pjesë e ujërave ndërkombëtarë. Po ashtu, autoritetet amerikane kishin akuzuar Kinën për “militarizim të rajonit duke shkelur kështu ligjet ndërkombëtare“.
‘Global Times’ është një gazetë që del nën kujdesin e së përditshmes ‘People’s Daily’, organ zyrtar i Partisë Komuniste Kineze. (Anadolu Agency)