Specialisti i kirurgjisë së përgjithshme, mjeku turk Ömer Faruk Aydoğan, i cili arriti të hyjë në Gaza, tha se në Gaza ka krizë të rëndë të ilaçeve dhe ushqimit, duke i bëri thirrje opinionit publik turk dhe botëror që të plotësojë nevojat urgjente të Gazës për barna, veçanërisht antibiotikë.
Dr. Aydoğan në një deklaratë për Anadolu bëri vlerësime lidhur me hyrjen e tij në Gaza dhe punimet që i ka bërë në qytet.
Ai vuri në dukje se ata aplikuan me 4 persona për të shkuar në Gaza në kuadër të Fondacionit për Jetimët dhe Organizatës Turke “Mjekët Vullnetarë për Gazën”, e cila kryen punën e ndihmës humanitare, duke shtuar se Izraeli e lejoi vetëm atë të hynte në Gaza.
– “Në Gaza duhet lejuar hyrjen e ilaçeve, veçanërisht antibiotikëve”
Duke theksuar se Gaza dhe Kudsi nuk janë vetëm çështja e palestinezëve, dr. Aydoğan tha: “Erdhëm për t’iu ndihmuar vëllezërve tanë nga Gaza. Nuk kemi frikë. Të qenit dëshmor në rrugën e Allahut dhe për Kudsin, është ndër pozitat më të larta për ne”.
Ai tha se tani po shërben në Spitalin Publik në veri të Gazës ndërsa ka operuar 4 persona që janë plagosur në sulmet e Izraelit. Mjeku turk tha se sulmet në rajon po vazhdojnë çdo ditë pandalur.
“Pacientët mbahen në tenda jashtë spitaleve dhe në tokë para spitaleve. Një shërbim shëndetësor shumë serioz nuk mund të ofrohet sepse nuk ka antibiotikë, ilaçe dhe mjedis steril. Në plagët pa operacione ka shumë infeksione dhe mungojnë pajisjet mjekësore. Në të vërtetë, sistemi i kujdesit shëndetësor në Gaza është në prag të kolapsit”, u shpreh dr. Aydoğan.
Ai thekson se nevoja më e rëndësishme në Gaza është nevoja urgjente për ushqim dhe ilaçe, duke shtuar: “Në Gaza duhet lejuar hyrjen e ilaçeve veçanërisht antibiotikëve”.
Sipas tij, mjekë nga e gjithë bota dëshirojnë të shkojnë Gaza ndërsa Izraeli lejon hyrjen e “një numri të vogël mjekësh për një kohë të shkurtër” në Gaza.
Dr. Aydoğan potencon se përkundër të gjitha sulmeve, banorët e Gazës nuk harrojnë të jenë mirënjohës për gjendjen e tyre dhe se janë shumë të kënaqur me ndihmën që vjen nga Türkiye. “Veçanërisht kur dëgjojnë se jemi turq, pacientët e përmendin emrin e Recep Tayyip Erdoğanit. Atë e duan shumë. Kërkojnë nga presidenti që të zgjasë më shumë dorën e ndihmës në Gaza”, thekson mjeku turk.
Ai thotë se përveç krizës së ilaçeve në Gaza ka edhe krizë ushqimore. “Njerëzit në Gaza përjetojnë vështirësi në qasjen në ushqim dhe ujë të pijshëm”, tha dr. Aydoğan.
– “Duhet të hapet një korridor urgjent për ilaçet dhe ushqimin në Gaza”
Dr. Aydoğan vuri në dukje se rreziku i sëmundjes epidemike në Gaza është shumë serioz.
“Moti ftohet natën në Gaza. Ky mot prek shumë rëndë fëmijët, jo të rriturit. Sidomos gratë që lindin dhe foshnjat e sapolindura vdesin në këto kushte. Duhet të hapet një korridor urgjent i ilaçeve dhe ushqimit në Gaza. Ka nevojë për pajisje në Gaza. Pacientët që i nënshtrohen operacionit në Gaza duhet të transportohen menjëherë, sepse ka pacientë që presin për operacion. Këto janë të gjitha arsyet që mund të çojnë në një epidemi”, tha ai.
Mjeku turk shtoi se Izraeli i dha atij leje pune në Gaza deri më 8 janar 2025.