Plani për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë po vazhdon të has në kundërshtimin e serbëve, gjegjësisht të Kishës Ortodokse Serbe.
Dioqeza e Rashkës dhe e Prizrenit ka lëshuar një komunikatë për media, përmes së cilës ka thënë se i kanë njoftuar dje përfaqësuesit e BE-së, OSBE-së dhe KFOR-it se “Qeveria e Kosovës ilegalisht ka nisur ndërtimin e rrugëve në rrugën transitore Deçan-Plavë brenda zonës speciale të mbrojtur përreth Manastirit të Deçanit”.
Ndërtimi i rrugëve të tilla në zona të mbrojtura, sipas Dioqezës Rashkë-Prizren “ndalohet rreptësisht me Ligjin për Zonat speciale të mbrojtura që është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Shkelja e këtij ligji, përveç mohimit të Qeverisë së Kosovës dhe komunës lokale për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që konfirmon të drejtat pronësore të Manastirit të Deçanit, paraqet shembullin më flagrant të paligjësisë institucionale nga Qeveria e Kosovës. Ekipi monitorues i OSBE-së ka vizituar zonën dje dhe mund të raportojë për dëmin që po bëhet nga puna e buldozerëve. Shkatërrimi i natyrës rrethuese në zonë është problem shtesë sepse zona i përket Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna”, theksohet në këtë komunikatë.
Reagim pati edhe nga Lista Serbe, e cila ka dënuar ndërtimin e rrugës “përreth zonës së manastirit të Deçanit” dhe ka vlerësuar se me ndërtimin e saj “shkelet ligji dhe rrezikohet një prej objekteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe të identitetit fetar serb”.
Përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës kanë paralajmëruar se të hënën do të bëjnë pyetje parlamentare dhe do të kërkojnë një interpelancë në lidhje me këtë çështje.
Mirëpo, ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reaguar lidhur me, siç thotë, zërat se kompania ndërtuese e rrugës Deçan- kufiri me Malin e Zi, është duke punuar brenda “zonës së mbrojtur”, duke siguruar qytetarët e të gjitha komuniteteve se punimet do të kryhen pa e cenuar atë zonë, ashtu siç edhe është zotuar ministri Lekaj dhe Ministria e Infrastrukturës.
Lekaj po ashtu u ka bërë thirrje të gjithë faktorëve vendorë e ndërkombëtarë, që të kontribuojnë që kjo temë humane të mos përkthehet në diçka tjetër, sepse “krejt kjo po bëhet në shërbim të zhvillimit të komunitetit të atjeshëm dhe mundësisë së lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe bashkimit e jo ndarjes së tyre”.
“Për informim të drejt të opinionit. Rruga Deçan – kufiri me Malin e Zi, e cila ka filluar para një muaji është duke u zhvilluar pa e ‘cenuar’ zonën e mbrojtur, punimet janë ka zhvillohen me një intensitet të kënaqshëm, 5 kilometra nga Manastiri i Deçanit e tutje, ashtu edhe siç jemi zotuar që nga fillimi. Sa i përket se ‘kompania është duke punuar brenda zonës së mbrojtur’, ajo është rrugë malore dhe shumë shpesh, si në çdo rrugë tjetër malore, ka erodime dhe rrëshqitje të dheut dhe gurëve dhe kompania është dashtë të ndërhyjë ashtu siç e ka edhe në kontratë që të hapë rrugën për të qarkulluar automjetet e vogla, qytetarët të cilët i kanë pronat e tyre ku e zhvillojnë veprimtarinë blegtorale e turistike të tyre”, ka thënë Lekaj, raporton Koha.net.
“Konform kësaj dëshiroj të bëjë thirrje që të kontribuojmë të gjithë faktorët relevantë, vendorë e ndërkombëtarë, që një temë e cila është kryekëput humane e njerëzore, të mos përkthehet si diçka tjetër, qoftë për të nxjerrë komunitetet njeri – tjetrin keq, apo edhe për të bërë zhurmën që nuk duhet të bëhet, sepse rrugët janë për të bashkuar e jo për t’u ndarë njerëzit, edhe rruga Deçan – kufiri me Malin e Zi po ndërtohet e po investohet në të, vetëm për t’iu mundësuar njerëzve të zhvillojnë veten”, ka thënë më tej ministri Lekaj.
Ai tha se derisa nuk do të kemi një harmonizim të idesë së rruga duhet të ndërtohet si tërësi, “jemi zotuar dhe do t’i qëndrojmë atij zotimi se punimet do të zhvillohen jashtë zonës së mbrojtur”.
Edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, në një deklaratë për lajmi.net, ka bërë të ditur se sot gjatë gjithë ditës, së bashku me përfaqësues të KFOR-it, ka qenë prezent në vendin e ngjarjes.
Ai ka thënë se janë larguar vetëm disa gurë të cilët kanë qenë rrezik për qytetarët që kanë kaluar andej.
“Jo, realisht nuk është ndërhyrë në zonën e mbrojtur, për shkak se vetëm janë larguar disa gurë nga brezi i rrugës dhe nuk kam informacione të tjera. Punëkryesi ka hequr vetëm disa brigje që kanë qenë me rrëshqitje të dheut për të kaluar me kamion dhe automjetet më lirë, pasi ka qenë rrezik edhe për qytetarët nga rrëshqitjet e gurëve. Vetëm ajo është bërë”, ka thënë Ramosaj.
Ai edhe një herë është zotuar se nuk do të ndërhyjnë në zonën e mbrojtur pa pasur leje.
“Unë sot kam qenë në terren bashkë me KFOR-in dhe organizmat e tjerë, dhe e kemi këqyr këtë rrugë. S’ka pasur asnjë telashe. Unë kam garantuar, edhe kompania ka garantuar, edhe qytetarët e Deçanit garantojnë se nuk do të ketë ndërhyrje në zonën e mbrojtur pa pasur leje paraprake”, ka theksuar Ramosaj.
Ai ka garantuar se nuk do të ketë ndërhyrje në këtë zonë pa marrëveshje me Këshillin për Zbatim dhe Monitorim të zonave të veçanta.
Sipas tij, punimet në ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë nuk do të ndërpriten. “S’ka arsye të ndërpriten punimet”, ka thënë Ramosaj.
© KOHA