Shërbimet e Qarkullimit Rrugor, i shkuan në ndihmë një familjeje, që kishin mbetur në rrugën që të çon për në malin e Tomorit, pasi automjeti me të cilin qarkullonin nuk mund të vijonte lëvizjen për shkak të dëborës .
Duke patrulluar në aksin rrugor Poliçan-Mali i Tomorit, kanë konstatuar një automjet që kishte mbetur në rrugë dhe në brendësi të automjetit ndodheshin 5 shtetas, midis tyre 2 fëmijë ( familje) të cilët kishin mbetur në vendin e qaujtur “Gjurma”.
Familja nga Berati, kishte udhëtuar drejt malit të Tomorit dhe në kthim për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, automjeti i tyre kishte xhiruar dhe për pasojë kishte pësuar dëmtime në goma, duke e bërë të pamundur lëvizjen drejt qytetit të Beratit.
Shërbimet e Qarkullimit Rrugor i transportuan me automjetin e tyre deri në banesë shtetasit që ndodheshin në automjet.
Shërbimet e Qarkullimit Rrugor, apelojnë për të gjithë drejtuesit e mjeteve nëse udhëtojnë drejt malit të Tomorit, të përdorin zinxhira dhe goma dimërore, të moderojnë shpejtësinë, të mos kryejnë parakalime të gabuara dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.
Borëpastrueset po vijojnë punën në këtë aks rrugor për pastrimin e rrugës.
Policia e Beratit është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo problematikë që mund të hasin, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.