Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë një 23-vjeçar, me inicialet A. D., banues në kryeqytet, pasi u kap duke transportuar një armë zjarri në automjetin e tij Range Rover, në zonën e Don Boskos.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Demir Progni”, ku i riu u ndalua nga shërbimet e Policisë dhe, pas kontrollit të ushtruar në automjet, u gjet një pistoletë me municion luftarak, e cila dyshohet se ishte e destinuar për shitje.
Arma ishte e fshehur në një kuti të zezë në formë zemre, duke tentuar të shmangte kontrollin policor.
Në pamje të siguruara nga vendngjarja, 23-vjeçari shfaqet i prangosur dhe i shtrirë përtokë, ndërsa efektivët kryejnë kontrollet e nevojshme.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Operacione policore të njëpasnjëshme kundër armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet operacioni “Gracka”. Sekuestrohet 1 pistoletë me municion.
U kap në flagrancë në zonën e Don Boskos, me armën e zjarrit që do ta shiste, vihet në pranga 23-vjeçari.
Si rezultat i kontrolleve të befasishme, të kryera në vijim të punës policore për garantimin e rendit dhe për goditjen e paligjshmërive, Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizoi operacionin “Gracka”.
Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë, në rrugën “Demir Progni”, shtetasi A. D., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Nga kontrollet u konstatua se ky shtetas kishte me vete 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilën dyshohet se do ta shiste.
Vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.