Prokuroria e Durrësit bëri me dije ditën e sotme se kanë nisur hetimet për një 38-vjeçare nga Tirana, e cila është shpallur në kërkim, e akuzuar se ka përvetësuar 900 mijë euro nëpërmjet mashtrimit.
Mësohet se e akuzuara është dentistja e ‘ShendiDent’ me banim në Tiranë, Olesia Duka.
Prokuroria thotë se nga hetimet e kryera, dyshohet se 38-vjeçarja përmes gënjeshtrës dhe mashtrimit i ka marrë shuma të mëdha financiare biznesmenit I. H., që nga njohja mes tyre në nëntor 2016, dhe vazhdon të mos ja kthejë.
Po ashtu është zbuluar se Duka, e njohur si dentistja e Vip-ave ka mashtruar edhe persona të tjerë, duke iu vjedhur shuma të mëdha parash, por “goditjen” më të madhe e ka marrë I.H., i cili ka bërë dhe denoncimin ndaj saj.
Për rrjedhojë Gjykata ka vendosur sekuestro preventive për pesë pasuri të 38-vjeçares dhe familjarëve të tij me një vlerë mbi 300 mijë euro dhe më konkretisht bëhet fjalë për apartamente.
Rezulton se Duka mashtronte persona të ndryshëm, duke iu marrë shuma të mëdha parash, duke iu thënë se kishte 8 klinika dentare dhe se i duheshin paratë për të blerë aparatura.
Por pasi merrte paratë ajo nuk i kthente më. Ndaj saj gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, duke u shpallur në kërkim.