Pas ndarjes nga Lëvizja Vetëvendosje, kryetari i tanishëm i Komunës së Prishtinës njëherësh edhe kryetar i PSD-së, Shpend Ahmeti është përballur me probleme të funksionimit të qeverisjes në Prishtinë.
Madje kjo ishte reflektuar edhe në asamblenë Komunale të Prishtinës. Ahmeti këto ditë akuzoi Vetëvendosjen që është bashkuar me PDK-në e LDK-në për të mundësuar mosfunksionimin e Kuvendit Komunal.
Pavarësisht kësaj, Ahmeti ka vendosur që t’i dorëzojë ofertën finale ish-subjektit të tij politik Vetëvendosjes, për bashkëqeverisje në Prishtinë.
Në ofertën të cilën e ka bërë publike zëdhënësi i tij, Adonis Tahiri, Ahmeti i ofron VV-së katër drejtori, duke i ofruar mundësinë e zgjedhjes së drejtorisë së katërt në mes të drejtorisë së Shërbimeve Publike ose drejtorisë së Administratës, të cilën e udhëheq drejtori Muhedin Nushi.
“Po ju shkruaj në lidhje me diskutimet që kemi pasur për koalicionin në Prishtinë. Kërkoj falje për vonesë, por këto ditë edhe kam përcjellë edhe frymën e përgjithshme që ka mbizotëruar në relacionin PSD-VV me theks të veçantë edhe në ngjarjet e fundit në Kuvend Komunal. Po ashtu kam pas diskutime të gjëra edhe me subjektin të cilin tashmë e drejtoj dhe po ashtu me partnerët e koalicionit.
Përkundër ngjarjeve të fundit, unë jam i interesuar edhe më tutje që ky koalicion të funksionojë”, thuhet në ofertën e Ahmetit dërguar VV-së.