Kjo është pasuria e deklaruar e Milaim Zekës i cili po hetohet nga prokuroria për mashtrime

Pesë banesa e një shtëpi i ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupcionit, deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, i cili është në arrest shtëpiak.

Derisa AKK-ja ka publikuar pasurinë e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ajo e deputetit Zeka është publikuar e fundit.

Vlera e banesave të deklaruar rezulton të jetë 675 mijë euro.

“Pasuri të paluajtshme kam paraqitur të gjithë pasurinë që kam fituar gjatë gjithë jetës time aktive në punë nëpër vendet e Evropës dhe Amerikë që nga viti 1982”, ka shënuar Zeka në formularin e pasurisë.

Pasuri të paluajtshme ka deklaruar që ka pesë banesa, një shtëpi dhe mal –tokë-truall. Të gjitha janë deklaruar si të përbashkëta.

Shtëpia prej 200 m2 është paraqitur në vlerë prej 200 mijë euro dhe është shënuar se është trashëgim. Një banesë 62 m2,thuhet se është blerë me kredi në vitin 2007, shkruan lajmi.net.

Banesa 200 m2 është shënuar se është blerë në vitin 2012 dhe vlera e sajë është shënuar 200 mijë euro nga të ardhurat personale, kursimet (puna në Evropë dhe Amerikë).

Banesa 126 m2 e përfituar në vitin 2015, vlera e saj është shënuar 80 mijë euro, sipas deklaruesit është blerë nga të hyrat e shitjes së shtëpisë, kursimet dhe të ardhurat personale.

Po ashtu, banesa e blerë në vitin 2015 më sipërfaqe 200 m2, vlera i është shënuar 140 mijë euro dhe është shënuar se është blerë nga të hyrat e shitjes së shtëpisë dhe kursimet dhe të ardhurat personale.

Një tjetër banesë, po 200 m2 është shënuar se është blerë në vitin 2011 në vlerë prej 170 mijë euro nga të hyrat e shitjes së shtëpisë dhe kursimet e të ardhurat tjera personale.

10 hektar mal-tokë-truall është shënuar si trashëgim nga viti 1985 dhe vlera i është shënuar prej 100 mijë euro.

Pasuri të luajtshme, Zeka ka deklaruar dy vetura në pronësi të vetën, një Opel Zafira e përfituar në vitin 2009 në vlerë prej 3000 euro dhe një BMW XI e përfituar në vitin 2015 në vlerë prej 10 mijë eurove. Për të dyja prejardhja e pasurisë është shënuar “nga të ardhurat personale, kursimet”.

Para të gatshme të mbajtura në institucionet financiare, ka deklaruar se ka 15 mijë euro, 2 mijë të bashkëshortes e 13 mijë të tijat

Ka deklaruar kompaninë në emër të gruas “Mozaik-u” SH A, e hapur në vitin 2017.

Janë deklaruar edhe të hyrat vjetore. Aktualisht, ka shënuar se merr para vetëm si deputet i Kuvendit të Kosovës, në vlerë prej 1488 euro në muaj. Të hyrat e bashkëshortes janë shënuar nga katër kategori. Si profesoreshë në Universitetin AAB është shënuar se ka të hyra në vlerë prej 3600 euro, paga në RTK 4440 euro. Të hyra nga “Mozaik-u” 6000 euro dhe të hyra nga Projekti i Bankës Botërore në MBPZHR, 15 mijë e 600 euro.

Gjykata Themelore në Prishtinë para pakë ditëve ia ka vazhduar edhe për 30 ditë të tjera masën e arrestit shtëpiak, deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka.

Prokuroria ka filluar hetimet ndaj deputetit Zeka, lidhur me veprën penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal për mashtrim dhe për shmangie tatimi. Ose decitivisht për hetimet , janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 paragrafi 1 lidhur më veprat penale Mashtrimi nga neni 335 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, dhe Shmangia nga tatimi nga neni 313 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Ditë më parë Insajder, ka raportuar se deputeti Zeka së bashku me një biznesmen dyshohet se kanë mashtruar 920 qytetarë të Kosovës me viza punësimi në Gjermani.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme