Kjo është përgjigja që jep Qeveria Haradinaj për shkrimin e revistës amerikane “The Time”

Këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, Arbër Vllahiu në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka dhënë një përgjigje për shkrimin e revistës amerikane “Time”, e cila e ka vënë kryeministrin Haradinaj në mesin e 5 figurave gjeopolitike më të kërkuara të 2018-ës.

Vllahiu ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk i komenton shkrimet e revistave.

“Qeveria e Kosovës nuk i komenton shkrimet e revistave”, ka deklaruar shkurt ai, raporton Gazeta Blic.

Ndërkohë kujtojmë që, revista e njohur amerikane “The Time” ka publikuar një artikull në të cilin ka përmendur pesë gjeopolitikanët më të rreptë, të cilët kanë fituar vëmendjen e botës.

Në mesin e këtyre gjeopolitikanëve më të rreptë është edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj,përkrah Carles Puigdemonit të Katalonjës, Fethullah Gulenit të Turqisë, Julian Assanget dhe Mikheil Saakashvilit.

“Time” shkruan se Haradinaj bëri emër gjatë konflikteve të viteve ’90 në Kosovë. Në këtë artikull prestigjiozja amerikane tregon se tani kryeministri i Kosovës ishte komandat i UÇK-së, i akuzuar për torturë dhe vrasje të serbëve, i cili në mungesë të provave ishte shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës gjatë viteve 2008 e 2012.

“Kjo nuk është e mjaftueshme për Serbinë, e cila refuzon të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe dëshiron që Haradinaj të ekstradohet për t’u përballur me drejtësinë e saj”, ka shkruar “Time”.

“Nuk është vetëm Serbia nga e cila Haradinaj po përballet me sfida. Me urdhër të aleatëve perëndimor dhe të ndihmuar nga BE-ja, parlamenti i Kosovës në vitin 2015 u pajtua që të krijonte një gjykatë speciale për krime të luftës me bazë në Holandë, por do të operonte nën juridiksionin e Kosovës. Kjo lëvizje u konsiderua si instrumentale në stabilizimin e gjeopolitikës në Ballkan. Vetëm tani ka paralajmërime për shfuqizimin e saj [Speciales], Haradinaj dhe elita politike e Kosovës është duke shikuar për mundësitë e shmangies së kësaj Gjykate”, ka shkruar “Time”.

“Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, të cilat i prin kampanjës së NATO-s për bombardimin e Serbisë së Sllobodan Millosheviqit – janë të përkushtuara që Kosova të arrijë normat dhe vlerat perëndimore. Ndoshta Haradinaj dhe aleatët e tij në Kosovë janë shumë të vegjël që të kujdesen për fuqitë e rëndësishme gjeopolitike; realiteti është se, për të ruajtur paqen, ata nuk mund ta përballojnë këtë”, shkruan në fund revista “Time” për figurën e Haradinajt.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme