Noteri Burim Xhemajli po akuzohet nga klienti i tij, L.M. (emër i njohur për redaksinë) se e ka sulmuar fizikisht. Ai po deklaron se Xhemajli ia kishte zvarritur procesin e trashëgimisë dhe se për shkak se nuk kishte pranuar t’ia paguante një kosto shtesë për disa gabime, që siç thotë i kishte bërë vetë noteri, e kishte sulmuar edhe fizikisht, duke i shkaktuar lëndime në kraharor. Por, noteri Xhemajli po e mohon një gjë të tillë. Ai deklaron se fajin për zvarritje të procesit e ka vetë klienti, gjersa mohon ta ketë sulmuar. Rasti është raportuar edhe në polici, ndërsa në Odën e Noterëve kanë zgjedhur të heshtin rreth këtij rasti, shkruan Gazeta Express
Kanë kaluar më shumë se dy vjet qëkur L.M nga Prishtina, i ishte drejtuar noterit Burim Xhemajli për ta zgjidhur një çështje të trashëgimisë familjare.
Babai i kishte vdekur, e donte që pasurinë ta kalonte në emër të nënës së tij. Për ta zgjidhur këtë rast ishte drejtuar me shpresë tek noteri Burim Xhemajli, para më shumë se 2 vjetëve. Por, kjo i kushtoi goxha shtrenjtë. Përveç që ende nuk ka përfunduar rastin, ai thotë se edhe u sulmua fizikisht nga noteri të cilit ia besoi rastin.
Fillimisht kishte biseduar me të lidhur me dokumentet që nevojiten, e pas disa ditësh edhe i kishte rregulluar ato, dhe e kishte marrë rrugën për në zyrën e tij. Deri këtu gjërat kishin shkuar shumë mirë. Së paku kështu besonte ai.
L.M. këtë vit kishte marrë aktin noterial e i ishte drejtuar Kadastrës, duke menduar se të gjitha dokumentet ishin në rregull dhe se çështja e trashëgimisë ishte zgjidhur, por nuk doli të ishte kështu.
Kërkesa e tij ishte pezulluar nga Kadastra me arsyetimin se kishte gabime në numrin e garazhit, si dhe në njërën prej parcelave ku babai i tij ishte bashkëpronar, nuk figuronin numrat e parcelave të tjera. I kishte sugjeruar që të përpilonte dokumentet edhe një herë dhe t’i drejtohej prapë noterit.
Ai kishte ndjekur udhëzimet e Kadastrës dhe i ishte drejtuar noterit, por kur i ishte drejtuar ai i kishte thënë se nuk ka njohuri nëse mund të bëhet një gjë e tillë dhe i ishte drejtuar edhe ai vetë kadastrës për ta konfirmuar.
Sipas tij, noteri ia kishte lëshuar aktin noterial gabimisht, pasi që nuk kishte qenë i njoftuar me procedurën.