Koalicioni qeverisës në Austri, lajm i keq për Kosovën

Austriakët e së djathtës ekstreme të Partisë së Lirisë (FPO), kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me Partinë Popullore, që drejtohet nga Sebastian Kurz, shkruan Gazeta Metro.

Partia e së djathtës ekstreme, në bazë të marrëveshjes për Qeverinë e re, ka marrë ministritë kyçe, duke përfshirë ministrinë e Jashtme, të Brendshme dhe atë të Mbrojtjes, kurse Kurz i Partisë Popullore do të jetë Kancelar i ri i Austrisë.

Përveç që Austria do të jetë shteti i vetëm në Europë që do të ketë një parti të ekstremit të djathtë në koalicionin qeverisës, ky lidership i ri pritet të ndikojë negativisht në politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian si dhe në proceset integruese të Ballkanit në përgjithësi.

Kështu, Kosova do ta ketë edhe një kundërshtar tjetër në rrugën europiane të saj, pasi kryetari i FPO’së, Heinz-Christian Strache, do të jetë numri dy i Qeverisë austriake dhe njerëzit e partisë së tij do të drejtojnë dikasteret kryesore të shtetit. Ministrinë e Jashtme do ta drejtojë Karin Kneissl, që nuk është anëtare e ekstremit të djathtë, por ishte nominuar në këtë post nga po kjo parti.

Përveç kësaj, ky koalicion bëhet edhe më shumë negativ për Kosovën kur kujtohen deklaratat publike të Heinz-Christian Strache, i cili kishte deklaruar që Kosova është pjesë e Serbisë.

“Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë”, kishte deklaruar Strache vitin e kaluar, deklaratë e transmetuar nga mediat serbe, ndërkohë që Norbert Hofer, një ndër figurat kryesore të FPO’së, ishte treguar edhe më i ashpër, duke thënë që ‘ai do ta merrte Serbinë shumë shpejt në BE’ dhe që ‘serbët janë popull punëtor’.

Hans-Christian Strache, kryetar i FPO’së, parti me orientim të djathtë ekstrem

Tutje, Kosova me siguri do të hasë edhe në kundërshtimin austriak në procesin e liberalizimit të vizave, pasi FPO do të ketë edhe ministrinë e Brendshme, e ministrat e brendshëm të shteteve anëtare të BE’së japin fjalën e fundit për liberalizim në Këshillin Europian të drejtuar nga Donald Tusk.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën ka stagnuar, pasi Kuvendi ka qenë i paaftë të ratifikojë marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, kurse Kryeministri Ramush Haradinaj përkrah rrëzimin e tërësishëm të saj në Kuvend, në tentim që t’i hapet rrugë një marrëveshjeje të re.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme