Koalicioni VLEN paralajmëron padi penale kundër Simovskit e Selamit

Gazetar: Mihajllo Donev

VLEN është në fazën përfundimtare të kompletimit të provave dhe më pas do ngrejë padi penale në Prokurorinë Themelore Publike sa më shpejt të jetë e mundur kundër ish-zyrtarëve të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) për shkak të dyshimeve për bashkëpunim politik dhe falsifikim të rezultateve të regjistrimit të vitit 2021. Koalicioni akuzon gjithashtu BDI-në se qëndron pas manipulimit të rezultateve të regjistrimit.

“Po mbledhim të gjitha provat e disponueshme publike, duke përfshirë pranimet e bëra publike se “regjistrimi ishte brenda kornizës së dakorduar”. Numri i shqiptarëve të regjistruar në shumë fshatra dhe vendbanime nuk korrespondon me realitetin në terren, me numrin e banorëve të pranishëm, taksapaguesve, fëmijëve të regjistruar në shkolla dhe numrin e votuesve. Ne vlerësojmë se përfaqësimit demokratik të shqiptarëve në organet shtetërore i është shkaktuar dëm i madh. BDI pranon se mori pjesë në planifikimin dhe dakordimin për këtë regjistrim të popullsisë që është padyshim i pasaktë”, thonë nga VLEN.

Kallëzimet penale të paralajmëruara nga VLEN vijnë pasi Gjykata Kushtetuese vërtetoi se drejtori i atëhershëm i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simoski, dhe zëvendësi i tij, Ilmi Selami, tejkaluan kompetencat e tyre dhe duke abuzuar me detyrën e tyre zyrtare, e ndanë popullsinë në “rezidente” dhe “jorezidente”, në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet. Qeveria tashmë ka njoftuar se pret ndjekje penale kundër ish-drejtorëve, ndërsa zëvendëskryeministri Arben Fetai akuzoi gjithashtu BDI-në, se përmes Selamit, ka realizuar idenë për kryerjen e regjistrimit të popullsisë, rezultatet e të cilit do të ishin në dëm të popullsisë shqiptare në vend. Nga ana tjetër, në paraqitjen para mediave, ish kreu i Entit Apostoll Simovski tha se ndarja e popullsisë në “rezidente” dhe “jorezidente” është bërë në përputhje me rekomandimet e Eurostat-it, dhe tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese lë hapësirë për konfrontim politik. Lidhur me njoftimet për padi penale kundër tij, Simoski tha se nuk mund t’i komentojë ato, sepse nuk e di se çfarë do të përmbajnë. Ndryshe nga Simoski, ish-zëvendësdrejtori Entit të Statistikës, Ilmi Selami, nuk ka komentuar asgjë ndërsa edhe pse e kemi kontaktuar prej ditësh, ai nuk u përgjigjet thirrjeve tona. Nga BDI thanë se regjistrimi i popullsisë është kryer sipas ligjit dhe se është “fushatë e koordinuar” për të diskredituar regjistrimin, të cilin ata e quajtën përpjekje për të minuar themelet e bashkëjetesës. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme