Koci: Haradinaj lirohet nesër, Serbia nuk ka fakte

Serbia nuk ka mundur të sigurojë prova të reja për ta quar sërish në gjykim për krime lufte kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Prandaj, Gjykata e Colmarit në Francë nuk do ta esktradojë Haradinajn në Serbi për shkak të mungesës së dëshmive.

Të enjten pritet që kjo gjykatë franceze, të dalë me vendimin përfundimtar për ekstradimin ose jo të Haradinajt, dhe avokati i tij kosovar Arianit Koci, beson fort se seanca do përfundojë me lirim e jo ekstradim.

1 orë më parëMuharrem Nitaj: Nesër presim lirimin e Ramush Haradinajt

“Sipas asaj që ka thënë gjykata në seancën e kaluar, çështja do të shtjellohet dhe vendimi përfundimtar për kërkesën e Serbisë për ekstradimin e z. Haradinaj do të shpallet me datë 2 mars 2017. Ramush Haradinaj është shpallur i pafajshëm në Tribunalin e Hagës. Andaj, besojmë fuqishëm se Serbia nuk ka mundur të sigurojë “prova të reja” siç është pretenduar prej saj. Prokurorët e Hagës kanë hetuar me kujdes çdo ditë e luftës ku Haradinaj ka qenë pjesëmarrës, dhe nuk kanë arritur të dëshmohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm asnjë pikë të aktakuzës”.

“Fuqishëm besoj se vendimi final lidhur me kërkesën për ekstradim do të jetë në favor të z. Haradinaj”, ka deklaruar Koci në një prononcim për klankosova.tv

Ai thotë se lideri i AAK-së i arrestuar në Francë nën një flet-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, mund të kthehet në vendlindje sapo t’i ketë në posedim dokumentet e udhëtimit që janë marrë prej tij nga autoritetet franceze.

“Në rast se gjykata e Colmarit vendos për lirimin e Haradinajt, ai do të mund të kthehet në Kosovë menjëherë pasi t’i dorëzohet dokumenti i udhëtimit, i cili i është konfiskuar përkohësisht nga organet përkatëse të Francës”.

Besim kaq të fuqishëm në lirimin e Haradinajt, ka edhe partia me të cilën ai udhëheqë.

“Ne presim lirimin e tij. Ai është i pafajshëm dhe këtë e ka dëshmuar disa herë”, ka thënë Muharrem Nitaj, anëtari i Kryesisë së AAK-së, për klankosova.tv.

I arrestuar në fillim të muajit janar, Haradinaj me datën 12-të të muajit të parë të këtij viti, ishte liruar me kusht, mirëpo ai s’mund të ishte plotësisht i lirë pa e përgatitur Serbia lëndën për ekstradimin e tij.

Sikurse Koci, të njëjtin mendim e ndanë edhe avokatja franceze mbrojtëse e Haradinajt Rachel Lindon, e cila pas seancës gjyqësore të mbajtur me 12-të janar, kishte thënë se kërkesa e Serbisë që ai të ekstradohet brenda territorit të këtij shteti, nuk ka asnjë bazë ligjore në të Drejtën Ndërkombëtare dhe po ashtu autoritetet serbe s’kanë fakte të reja për ta akuzuar ish-komandantin e UÇK-së.

Në anën tjetër, Kryesia e Degës së AAK-së në Pejë, në një takim të zhvilluar të martën, kishte konstatuar se mbajtja e Haradinajt në Francë është veprim politik që ndërlidhet me paralajmërimet për dërgim në Kuvend të Marrëveshjes për ratifikim të Demarkacionit me Malin e Zi.

Arrestimi i liderit të partisë opozitare kosovare, është e vetmja çështje që kohëve të fundit ka bërë bashkë pozitën dhe opozitën e Kosovës.

Nga krerët e shtetit e përfaqësues të institucioneve vendore, arrestimi i Haradinajt me flet-arrest të Serbisë, është dënuar e është bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij me arsyetimin se ai kishte luftuar në mbrojtje të vendit dhe se gjykatat ndërkombëtare e kishin liruar nga të gjitha akuzat.

Haradinaj ishte arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Basel-Mulhouse në Francë, me katër janar të këtij viti me një urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia e cila e akuzon për krime lufte.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme