Për Evropën e Lirë, kreu i ekzekutivit kosovar ka deklaruar se takimi është i një formati të veçantë, si rrjedhojë e proceseve dhe ngjarjeve të fundit. Ndër kërkesat kryesore të Prishtinës zyrtare në takimin me palën nga Serbia në Bruksel, Mustafa ka thënë se do të jetë ajo për ndaljen e fletarresteve politike ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ajo për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
Sipas tij, në takim do të diskutohet rreth ndërtimit të mekanizmave të zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe të sigurohet një përfshirje e nevojshme e të gjithë akterëve përgjegjës, përfshirë edhe opozitën.
Nga ana tjetër, zyrtarja e BE-së, Maja Kocijançiç, ka thënë se në këtë takim do të bisedohet për gjëra konkrete dhe për çështje të rëndësishme, pasi që është me rëndësi që të konfirmohet angazhimi dhe obligimet e të dyja palëve në dialog.
Ajo tha se ftesa për dialog vjen pas zhvillimeve gjatë ditëve dhe javëve të fundit atje.
Kocijançiç shtoi se ka shumë rëndësi që të konfirmohet angazhimi dhe obligimi i njërës dhe palës tjetër për dialog.