Kolegji Zgjedhor zgjedh presidentin e SHBA-së

Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të Shteteve të Bashkuara pritet ta finalizojnë sot zgjedhjen e republikanit Donald Trump në postin e presidentit.

Vota e Kolegjit 538-anëtarësh është hapi i fundit në procesin zgjedhor të SHBA-së. Zgjedhësit në të 50 shtetet dhe në Uashington do të mblidhen në kryeqytetet e tyre dhe do të votojnë.
Sistemi i komplikuar është ngritur nga njerëzit që kanë hartuar Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara për të balancuar fuqinë votuese të shteteve më të populluara kundër asaj të shteteve rurale, më pak të populluara. Por, mënyra se si funksionon sistemi do të thotë se, ndonjëherë, një kandidat mund të humbasë votën e popullit, por të fitojë shumicën e votave të Kolegjit Zgjedhor. Kjo ka ndodhur edhe me Trumpin në zgjedhjet e 8 nëntorit.
Por, jo të gjithë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor janë të obliguar të votojnë për fituesin e zgjedhjeve në shtetin e tyre. Për këtë arsye, disa demokratë dhe të tjerë kanë bërë përpjekje të bindin disa anëtarë të Kolegjit që të zgjedhin një tjetër republikan dhe jo Trumpin. Mbështetësit e kësaj përpjekjeje thirren në raportet se hakerë, të mbështetur nga Qeveria ruse, kanë ndikuar fushatën presidenciale në SHBA, si dhe në dyshimet mbi marrëdhëniet biznesore të Trumpit. Trumpi, nëpërmjet një postimi në “Twitter”, ka kritikuar përpjekjet për ta kundërshtuar atë. “Nëse shumë mbështetës kanë kërcënuar njerëz, siç po bëjnë ata që i kanë humbur zgjedhjet, ata do të përbuzen dhe do të thirren me emra të tmerrshëm”, ka thënë Trumpi.
Megjithatë, shumica e zgjedhësve të Kolegjit Zgjedhor janë të obliguar me ligj që të votojnë kandidatin që ka fituar në shtetin e tyre.
Rivalja demokrate e Trumpit në zgjedhje, Hillary Clinton, ka fituar votën e popullit me rreth 3 milionë vota më shumë, duke e bërë Trumpin fituesin më të dobët të votës popullore qysh në vitin 1876. Por, një kandidat duhet të sigurojë 270 vota të Kolegjit Zgjedhor për të fituar dhe, në këtë rast, Trump ka fituar 306 vota të zgjedhësve nga 30 shtete. Trumpi dhe ekipi i tij i kanë hedhur poshtë pretendimet e inteligjencës për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, duke akuzuar demokratët dhe aleatët e tyre se bëjnë përpjekje të minojnë legjitimitetin e fitores së tij zgjedhore. Zyrtarët rusë po ashtu i kanë hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje. (REL)

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme