Edhe pse Xhavit Haliti ka qenë njëri ndër themeluesit e UÇK’së, deputeti i Nismës, Haxhi Shala, i njohur si Komandant Topi, thotë se sipas ligjit kolegu i tij nga PDK, nuk e meriton statusin e veteranit të UÇK’së.
Shala duke folur në T7 rreth temës së rritjes së enorme të numrit të veteranëve të UÇK’së, ka thënë se ky numër është rritur kryesisht nga ata persona që kanë vepruar jashtë Kosovës, dhe nuk kanë qenë asnjëherë në Kosovë për të luftuar, përcjell gazetametro.net.
Ai ka thënë se për këtë duhet të ndërmarr veprime Prokuroria dhe të fillojë me këtë kategori. “Prokuroria gjënë e parë që duhet të bëjë, është të pyes veteranët ku kanë qenë gjatë luftës. Nëse ata nuk kanë qenë asnjëherë në Kosovë gjatë luftës, atëherë sipas ligjit ai nuk mundet të jetë veteranë, pasi ligji e thotë decidivisht këtë”.
Shala për këtë ka marrë shembull njërin nga themeluesit e UÇK’së, Xhavit Haliti.
Duke marrë për bazë faktin se Haliti gjithë veprimtarinë e tij për UÇK’në e ka ushtruar jashtë Kosovës, kryesisht në Shqipëri dhe Europë, Shala ka thënë se ligji as atij nuk ja lejon statusin e veteranit.