Gazetari nga Shqipëria, Andi Bushati, ka thënë se rasti i arrestimit dhe deportimit të gjashtë turqve nga Kosova vërteton akuzat e politikanit zviceran, Dick Marty kundër ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që sot janë udhëheqës shtetërorë.
Deportimin e turqve ai e ka cilësuar si vepër banditeske.
“Ish komandantet që sot drejtojnë Kosovën dhe që kanë urdhëruar një rast flagrant rrëmbimi personash (6 qytetarët turq të kërkuar nga Erdogani) kanë vërtetuar me këtë akt të gjitha akuzat e bëra më parë ndaj tyre nga serbët, Dik Marti, apo hetuesit ndërkombëtarë”, shkruan Bushati në Facebook, transmeton Periskopi.
“Pse kur janë në gjendje të veprojnë si banditë nën petkun e shtetarit, nuk e paskan bërë më keq edhe nën uniformën e luftëtarit?”.
Dy ditë më parë, gjashtë shtetas turq janë arrestuar nga autoritetet kosovare, të dyshuar në Turqi si pjesëtarë të organizatës së Fetullah Gylenit.