Nga Paul Krugman
– Kur Donald Trump u betua si President, shumë u frikësuan me të drejtë se, ai do të shkatërronte marrëdhëniet e ngushta ekonomike me Meksikën dhe do të niste një luftë tregtare me Kinën. Deri më tani, as e para dhe as e dyta nuk ka ndodhur.
Nisja e një lufte tregtare me Europën duket e çuditshme, edhe për një President si Donald Trump, por ajo mund të jetë realitet. Përmes një postimi në rrjetin e tij të preferuar, Donald Trump akuzon Bashkimin Europian për “tarifa dhe pengesa të tmerrshme” për produktet amerikane. Për SHBA, BE ka qenë gjithmonë aleati i ngushtë për të gjitha arsyet e duhura, përfshirë këtu edhe rolin e peshën që ka për paqen dhe demokracinë. Pyetja që ngrihet me të drejtë, pse nxitohet Donald Trump në një konflikt tregtar që u shërben vetëm interesave të armiqëve të lirisë, siç është edhe Vladimir Putin?
Përtej të gjitha këtyre, Trump gabohet edhe kur flet me shifrat. “Eksportet amerikane në Bashkimin Europian, kanë një taksim mesatar prej vetëm 3 për qind”, thuhet në guidën e eksporteve të vetë administratës së tij.
Ku është burimi i keqinformimit të Donald Trump? Ndoshta Peter Navarro, cari i tij i tregtisë. Mënyra sesi u ngrit ai në Shtëpinë e Bardhë tregon shumë për natyrën e administratës së Donald Trump, ku çmohen ata që thonë vetëm ato që shefi do të dëgjojë.
Por, si u rekrutua Navarro? Sipas një raportimi të Vanity Fair, gjatë fushatës elektorale, Jared Kushnerit iu kërkua që të gjente ekonomistë që mbronin kendvështrimin e Donald Trump për proteksionizmin. Kushner hapi Amazon, ku gjeti një libër të titulluar “Vdekja nga Kina”. Një prej autorëve të këtij libri ishte edhe Peter Navarro. Kushner e mori në telefon dhe Navarro u bë këshilltari kryesor ekonomik i Donald Trump.
Navarro mban gradën shkencore më të lartë në shkencat ekonomike, por në disa koncepte bazike po gabon dhe jo nga padituria. Një prej gabimeve të tij është ai për Taksën mbi Vlerën e Shtuar që mallrat amerikanë paguajnë në BE. Kjo taksë nuk ekziston në Shtetet e Bashkuara, por në BE luan një rol të madh në buxhetin e qeverive. TVSH, thotë Navarro, u jep kompanive europiane një avantazh të madh tregtar përballë atyre amerikane. Por, kjo nuk është e vërtetë. Marrim si shembull Gjermaninë. Taksa mbi Vlerën e Shtuar në këtë vend është 19 për qind dhe atë e paguajnë edhe kompanitë gjermane, edhe ato amerikane.
Pra, në Gjermani të gjitha kompanitë janë të barabarta përballë TVSH-së, ndërsa në Shtetet e Bashkuara, ku kjo taksë nuk aplikohet, të gjitha kompanitë, si amerikane, ashtu edhe europiane janë sërish të barabarta pa TVSH, por përballë taksës së shitjes, që varion nga 7 deri në 10 për qind. Kjo do të thotë se një nga arsyet kryesore që përmend Donald Trump për të mbrojtur “luftën” tregtare me BE-në nuk vlen.
Pyetja që lind është se si ka mundësi që një person me gradën shkencore më të lartë në shkencat ekonomike, që nuk di këto rregulla bazike të taksimit bëhet këshilltari kryesor ekonomik i Presidentit? Përgjigjja është e thjeshtë; kjo ndodh sepse ai i thotë shefit atë që shefi do të dëgjojë, jo atë që mendon vërtetë.
Së fundmi, Navarro tha për Bloomberg: “Detyra ime është që si ekonomist të përpiqem të siguroj analiza të qënësishme që vërtetojnë intuitën e Presidentit dhe intuita e tij në këto çështje nuk gabon asnjëherë”.
Kaq mjafton për të kuptuar që Navarro në detyrën e tij nuk është një analist e këshilltar ekonomik, por e deklaron veten si “propagandist” me rolin që vetëm të konfirmojë paragjykimet e Donald Trump.
Kjo, e provuar edhe nga shkarkimet e shumta në administratën e Donald Trump na bën që të themi me të drejtë se Presidenti e urren kritikën, jashtë dhe sidomos brenda administratës së tij, ku nuk pret asgjë më shumë se peqe-lepe.
Pra, kushdo që nuk luan në lojën e tij, sipas rregullave të tij, apo që është përpjekur të luajë sipas rregullave normale të demokracisë, fluturon prej administratës. Së shpejti në këtë administratë do të kenë mbetur vetëm sociapatët dhe kjo nuk do të përfundojë mirë për askënd!
Marrë nga The New York Times