Politikani suedez, Martin Strid, ka dalë nga partia Demokratët Suedezë pas pluhurit që u ngrit në atë vend për shkak të deklaratës së tij se myslimanët nuk janë plotësisht njerëz.
Ai në konferencën kombëtare të partisë, i ka thënë publikut se “në maje të shkallës prej 1 deri 100 janë ata të cilët i plotësojnë kushtet të jenë 100 për qind njerëz, ndërsa në fund janë myslimanët”.
Kjo nuk i mjaftoi dhe vazhdoi:
“Të gjithë myslimanët janë diku në atë shkallë”, ka thënë ai dhe ka shtuar “Nëse jeni ish mysliman, atëherë e keni kaluar një pjesë të mirë të rrugës në përpjekje të shndërroheni në njeri”, transmeton Gazetametro.net.
Dhe ka përfunduar me atë se “dëshiron që myslimanët t’i lirojë nga islami”, dhe se ka për qëllim që ata t’u bashkohen Demokratëve Suedezë.
Fjalimin e ka xhiruar shtëpia televizive SVT, e cila të dielën publikoi se Strid është paraqitur në polici për shkak të fjalimit të urrejtjes, shkruan The Local.