Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Këshill një dokument të detajuar teknik ku konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën.
Radio Evropa e Lirë raporton se ka pasur qasje në këtë dokument, i cili do të jetë edhe bazë për diskutimin në grupin punues për vizat në Këshill më 13 tetor në Bruksel. Ai është dërguar si një rifreskim i të dhënave për të informuar vendet anëtare të BE-së dhe nuk është raport formal për implementimin e udhërrëfyesit pasi një raport i tillë ishte bërë më herët dhe nuk ka nevojë për një tjetër.
“Kosova ka vendosur një kornizë të fuqishme ligjore dhe operacionale për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe për t’u përballur me rreziqet e sigurisë dhe ato nga migracioni. Kjo ishte konfirmuar edhe përmes raporteve vjetore të Komisionit në kuadër të paketës së zgjerimit”, thuhet në konkluzat e dokumentit që u është dërguar vendeve anëtare.
Në të njëjtin dokument konfirmohet se Kosova ka vazhduar të konsolidojë progresin në fushat kyçe të identifikuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.
“Si rrjedhojë, baza për rekomandimin e Komisionit nga viti 2018 për të përjashtuar shtetasit e Kosovës nga kërkesa për viza për qëndrim të shkurtër mbetet tërësisht i vlefshëm”, konkludohet në fund të këtij raporti.
Sipas ekspertëve të Komisionit Evropian, Kosova në vitet e fundit ka forcuar kornizën ligjore dhe institucionale në fushat si siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufijve dhe migracionit, rendit publik dhe sigurisë, të drejtat themelore të lidhura me lirinë e lëvizjes, duke i afruar ato me standardet e BE-së.
Në raport konfirmohet se Ministria e Brendshme e Kosovës ka siguruar që të gjitha dokumentet e udhëtimit, pasaportat, janë biometrike dhe janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.
Kosova, sipas këtij raporti, ka përshtatur edhe më shumë legjislacionin me BE-në edhe në fushën e menaxhimit të koordinuar të kufijve. Gjithashtu, ka bërë progres domethënës në funksionimin e sistemit gjyqësor, përfshirë edhe efikasitetin, profesionalizmin, përgjegjësinë dhe integritetin.
Kosova ka arritur përparim në hetimin dhe dënimin e rasteve të krimit të organizuar.
Po ashtu, Kosova i ka përmbushur dhe kushtet për riatdhesimin e shtetasve të saj, të cilët kanë kërkuar azil në BE dhe kanë marrë vendimin për t’u larguar.
Komisioni Evropian konstaton trend pozitiv edhe në numrin e refuzimit të dhënies së vizave për qytetarët e Kosovës nga vendet e BE-së, si dhe rënien e numrit të azilkërkuesve të rrejshëm.
Të gjitha këto të dhëna që janë përmendur në dokumentin që e ka dërguar Komisioni Evropian, do të shërbejnë për Këshillin e BE-së i cili më 13 tetor nis procedurën që ka për qëllim finalizimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
© SYRI.net